Clinton, krenar që qëndroi me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”

Clinton, krenar që qëndroi me popullin e Kosovës

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të mërkurën në Prishtinë se ndjehet i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”.

Ai u prit si hero në qendër të Prishtinës në manifestimin me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, që Kosova e kremton si ditë të lirisë.

Clinton: “Kam një fotografi në zyrën time në New York dhe është një fotografi në Prishtinë pas fundit të konfliktit, ku janë sekretarja Albright, gjenerali Clark, Tony Blair dhe unë. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetes se çka ka qenë qëllimi kryesor që ka arsyetuar përdorimin e forcës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova këtu para 20 vitesh, në një shkollë në Ferizaj, atë dite thash diçka që dëshiroj ta them edhe sot, 78 ditë të sulmeve ajrore nga NATO-ja mund ta kenë fituar këtë luftë por vetëm qytetaret qe ishin ne gjimnaz atë ditë dhe qytetarët tjerë të Kosovës mund ta fitojnë paqen. Njëzet vite më vonë mendoj se keni bërë një punë të mrekullueshme të arritjes së paqes dhe e di se në kohët e paqes më e rëndësishmja është të shihet se çka do të bëhet më tutje”, tha presidenti Clinton.

Clinton tha se "gjithmonë do të jetë nderi më i madh në jetë të qëndroj në Kosovë, të lirë".

Clinton: "Para se të mendoni për të gjitha gjërat që duhet t'i bëni, jeni mirënjohës që në udhëtimin tuaj të vështirë dhe të gjatë nuk ka pasur kthim të dhunës sistematike, shkatërrimit. Merita për këtë i shkon qytetarëve të Kosovës të të gjitha etnive, të cilët kanë vendosur të jetojnë me shpresën e të ardhmes së duhur".

Ish-presidenti amerikan përmendi faktin që pasardhësi i tij në krye të SHBA-së, Xhorxh Bush, ishte ai që njohuri pavarësinë e Kosovës, përkundër që ai vinte nga një parti tjetër, nga ish-presidenti Clinton.

Clinton: “NATO funksionon më së miri në botë. Gjeneral Clarku ishte komandant, por ishin 90 shtete demokratike që e përkrahnin atë veprim, i cili shpresoj që mos të përsëritet. SHBA ka qenë pranë jush që 20 vite, pavarësisht se cfarë partie politike ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Pasardhësi im, Xhorxh Bush, njohi shtetin e Kosovës. Ju keni arritje, natyrisht që keni punë për të bërë, por shikoni se në cfarë keni arritur.”

EMISIONET