Takimi informues për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbyll të hënën pa ndryshime në qëndrime.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare vunë theks të veçantë te operacioni policor i Kosovës në veri të vendit me 28 maj për arrestimin e të dyshuarve për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Për kryediplomatin serb Ivica Daçiç, operacioni synonte keqtrajtimin e serbëve në Kosovë.

Daçiç: Kosova multietnike është duke u kthyer në monoetnike, fshatra ku kanë jetuar më parë serbë nuk ekzistojnë më. Ju të gjithë duhet ta dini këtë dhe të ndaloni makinerinë e luftës së Prishtinës para se të shkaktohet një gjakderdhje e re.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, u përqëndrua  në fushatën ofenduese të zyrtarëve serbë duke përmendur edhe citimet e kryeministres serbe që i quan njerëzit në Kosovë të dalë nga pylli.

Çitaku: Ka ndodhur 100 vjet më parë, ka ndodhur para lufte, ndodhi edhe disa muaj më parë këtu në Këshill ku Presidenti i Serbisë bëri thirrje që ne të zbutemi. Ne nuk do të zbutemi, as nuk do të nënshtrohemi dhe as nuk do të drejtohemi kurrë më nga Serbia.

Ambasadorja Çitaku e quajti çlirimin e Kosovës  nga ndërhyrja e NATO-s 20 vjet më parë dekolonizim.

Në përfundim të seancës kjo shprehje u bë shkak që Ministri i Jashtëm serb ti kthehet delegacionit të Kosovës teksa bisedonte me kolegët nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, duke u thënë se ata me të cilët po rrinin janë kolonizatorët e Kosovës.

Tonet e larta shtangën të pranishmit në sallë. Në takim u theksua edhe njëherë rëndësia e uljes së palëve në bisedime dhe ndryshimi i qëndrimeve rreth taksës për Kosovën dhe njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Takimi tjetër informues për Kosovën i Këshillit është planifikuar të mbahet në tetor. Pala amerikane ka propozuar që seancat të reduktohen kalimin e muajve dhe detyrat e UNMIK ti marrë përsipër ekipi kosovar i OKB-së.


/Ora News.tv/