INSTAT ka ndezur motorët për realizimin e Censit të popullsisë dhe banesave 2020. Drejtorja, Delina Ibrahimi, bëri me dije se aktualisht po bëhet  përditësimi i të dhënave për apartamentet dhe banesat në vend. Risi këtë vit do të jetë përdorimi i tabletave për të mbledhur të dhënat.

Në tetor të vitit të ardhshëm, INSTAT do të realizojë numërimin e popullsisë dhe të banesave në vend.

Drejtorja e INSTAT, Delina Ibrahimi, bën me dije se në kuadër të realizimit të Censit 2020 aktualisht po bëhet përditësimi i banesave dhe apartamenteve për të krijuar hartëzim të saktë.

Delina Ibrahimi: Jemi duke bërë updaten e hartave, ka anketues të INSTAT që janë  në të gjithë Shqipërinë duke parë pallatet, ndërtesat, banesat, numrin e apartamenteve në mënyrë që brenda fundit të vitit të kemi të gjithë apartamentet, ndërtesat dhe banesat të hartëzuara në sistemin tonë.

Numërimi do të kryhet nga ekipet e INSTAT derë më derë dhe risija për këtë vit do të jetë që çdo informacion do të mblidhet në mënyrë elektronike.

Qytetarët që nuk do të pranojnë të japin informacion do të penalizohen.

Delina Ibrahimi: Censusi do të bëhet me tableta dhe transferimi i të dhënave do të jetë në mënyrë elektronike, e cila do të sigurojë jo vetëm një kohëzgjatje më të shkurtër të përpunimit të të dhënave por do të sigurojë dhe një menaxhim të cilësisë më të mirë. Të gjithë qytetarët do ta kenë të mundur që nëse kanë pakënaqësi në mënyrën sesi do të zhvillohet aktiviteti do të kenë mundësi që ti kontrollojnë të dhnënat e tyre dhe të sigurohen që të dhënat janë realisht ato që kanë dhënë ato në kohë reale.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë  ka përzgjedhur logon e re të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020.

Censi i Popullsisë dhe Banesave realizohet një herë në 10 vjet dhe është i rëndësishëm  për hartimin e politikave të duhura sociale në vend.

/Ora News.tv/