Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i dha “Çelësin e qytetit” këngëtares së njohur, Emeli Sande si një kujtim për të vizituar sërish Shqipërinë. Veliaj shprehu mirënjohje për artisten dhe tha se ka frymëzuar me mijëra të rinj, ndërsa Emeli Sande vlerësoi mikëpritjen e shqiptarëve.

Si një kujtim për t`u kthyer sërish në Shqipëri,  kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i dorëzoi këngëtares Emeli Sande “Çelsin e Qytetit”.

Duke shprehur mirënjohje ndaj këngëtares, Kryebashkiaku tha se përmes artit Sande ka frymëzuar mijëra të rinj në mbarë botën.

Veliaj: “Ju e dini se dikur prindërit tanë mbanin kopje çelësash në shtëpi sepse prona private nuk lejohej dhe e vetmja gjë që njerëzit quanin pronë ishte shtëpia e tyre. Prandaj, duke bërë një kopje çelësash dhe duke ua dhënë ato miqve, ishte njësoj sikur prindërit thoshin: “Po japim gjithçka kemi”. Ndaj për ne, dhënia e çelësave të shtëpisë, është një moment shumë i rëndësishëm. Në emër të qyteti të Tiranës, unë ju jap “Çelësin e Qytetit”, si një kujtesë për t’u rikthyer sërish dhe gjithmonë do të gjeni një derë të hapur. E vlerësojmë shumë vizitën tuaj, e duam muzikën tuaj dhe mendoj që jeni një frymëzim për shumë të rinj të cilët thonë: Ajo ia doli, edhe unë mund t’ia dal”.

Emeli Sande qëndroi vetëm pak orë në Tiranë por vlerësoi mikëpritjen e shqiptarëve.

Sande: “Është një nder i madh të jem këtu si një performuese në një event të tillë. Vetëm në kaq pak kohë pashë që ishte shumë bukur dhe u ndjeva e mirëseardhur nga mikpritja”.

Me rastin e “Natës së Bardhë”, Emeli Sande, e cila është një nga këngëtaret më të mira të momentit dhe hitet e saj renditen në krye të klasifikimeve botërore, performoi disa prej hiteve të saj më të mira, duke elektrizuar publikun e shumtë të pranishëm në koncertin e zhvilluar mbrëmë në sheshin “Skënderbej”.


/Ora News.tv/