Bujqësia dhe turizmi janë dy fushat për të cilat Republika Çeke ka interes për të investuar në Shqipëri.

Duke folur në Forumin e Biznesit mes Republikës Çeke dhe asaj të Shqipërisë që po mbahet në Tiranë, Presidenti i Senatit të Republikës së Çekisë, Milan Stec, tha se produktet bujqësore kanë mundësi për tu eksportuar në Çeki ndërsa klima e favorshme  josh qytetarët çekë për turizëm.

Stec: Shpresoj që tek ne ka kompani të ndryshme që kanë dëshirë të bashkëpunojnë për eksport, kemi kapacitete që mund të bashkëpunojnë dhe merren me bashkëpunime jashtë shtetit. Kompanitë çeke janë partnerë të mirë që kanë dëshirë të vazhdojnë të shfrytëzojnë dhe bashkëpunojnë në të ardhmen me biznese të ndryshme. Sigurisht që do të keni mundësi të shfrytëzoni këto lloj ofertash. Ju keni kushte shumë të mira të motit dhe prandaj tek ju ne shikojmë dhe vlerësojmë një potencial të madh të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë. Ju keni produkte shumë të mira si fruta dhe perime që kompani çeke mund tu ndihmojnë për të bashkëpunuar në eksportin për ti sjellë në Republikën Çeke. Një fushë tjetër është turizmi, popullit çek i pëlqen shumë turizmi, kanë shumë dëshirë të udhëtojnë nëpër male. Vendi juaj ofron mundësi turizmi, do të ishte shumë mirë sikur të zhvillohej një bashkëpunim në këtë fushë.Ne si Senat jemi të gatshëm ta mbështesim.

Sakaq, Stec nuk harroi të shprehë mbështetjen e Çekisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Stec: Ardhja e këtij delegacioni ka një qëllim politik, marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Çekisë janë në një nivel shumë të lartë në të gjitha nivelet e ndryshme. Përveç marrëdhënieve të mira, ne mbështesim Shqipërinë në hapat e saj në anëtarësimin në BE, jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të mbështesim Shqipërinë në negociatat për anëtarësim. 

Nga ana tjetër, kryeparlamentari Gramoz Ruçi nënvizoi nevojën për të çuar përpara bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Teksa renditi fushat ku mund të bashkëpunohet, Ruçi tha se miratimi i reformës në drejtësi është një garanci për kompanitë çeke.

Ruçi: Marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona kanë një histori zhvillimi të vazhdueshëm. Çekia për Shqipërinë është një vend i rëndësishëm dhe mbështetës i vendosur për anëtarësimin tonë në BE. Ashtu sikurse ka qenë po kaq mbështetës për anëtarsimin tonë në NATO. Marrëdhëniet shumë të mira politike duhet dhe kanë nevojë të reflektohen dhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. 

Bashkëpunim që në marrëdhëniet tona ka një tendencë rritje. Forumi është një dëshmi e plotë e dëshirës për të forcuar bashkëpunimin ekonomik.Është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mundësi bashkëpunimi për të ardhmen në fusha dhe sektorë me interes të përbashkët dy palësh.Mirëpresim interesimin e kompanive çeke në sektorin e energjisë, industrisë petrokimike, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, agro-mekanikës, teknikës bujqësore dhe tekonologjisë, turizmit dhe ndërtimit si dhe rrjeteve të hotelerisë. Reformat e ndërmarra vitet e fundit, veçanërisht reforma në drejtësi përbëjnë garanci për suksesin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në këto fusha.

/Ora News.tv/