Carabao Cup është i City-t, Guardiola "rrëmben" trofeun e parë të sezonit

Trofeu i Carabao Cup është i Manchester City-t. Qytetarët mposhtën në finalen e madhe Arsenalin, 3-0.

Një takim që kishte vetëm një skuadër në aksion dhe ajo ishte e Pep Guardiolës. Dominimi ndaj "Topçijve" u pa që në minutat e para të takimit, me Sane që tentoj të befasoj Ospina që në minutën e 2-të. Por rastin më të mirë për të shënuar e kishte Piere Emerick Aubameyang, me sulmuesin nga Gaboni që u ndal nga Claudio Bravo.

Reagimi i citizens nuk vonoi. Kur po luhej minuta e 18-të, i shërbyer nga gardiani Bravo, dhe i vetëm para portës, Sergio Aguero kaloi topin sipër kokës së Ospina për të kaluar në avantazh City-n, rezultat ky që mbeti i pandryshuar në 45 minutëshin e parë.

Fraksioni i dytë ishte një panoramë e së parës, me City-n që sulmonte dhe Arsenal që nuk doli asnjëherë në lojën e saj.

Sulmet e njëpasnjëshme të City-t u shpërblyen në minutën e 58-të. Në fakt ishte një skemë e mirëmenduar. De Bruyne nga këndi lëshoi një top rrafsh me tokën për Gundogan, me këtë të fundit që goditi drejt portës, dhe me sferën që u devijua aq sa duhet nga Kompany për të përfunduar në rrjetë.

David Silva me golin e shënuar në minutën e 65-të i vendosi kapak sfidës.

Përfundimisht 3-0, dhe trofeu i Carabao Cup bëhet "pronë" e Manchester City-t, ndërsa Pep Guardiola rrëmben kështu trofeun e parë të sezonit.

EMISIONET