Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi thekson se Partia Socialiste ka si qëllim sabotimin e reformës zgjedhore, duke paraqitur draftin në mënyrë të njëanshme të amendamenteve të Kodit Zgjedhor.

Reagimi i plotë i Bylykbashit: 

Me paraqitjen e draftit të njëanshëm  të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS është të sabotojë reformën zgjedhore.

Parlamenti mund të votoje vetëm amendamente që miratohen  nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërtëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi  raporti i OSBE-ODIHR në vitin 2017. 

Reforma zgjedhore ka konstatuar se problemet kryesore të zgjedhjeve janë pasojë dhe përgjegjësi e qeverisë.

Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria për të zgjidhur problemin e 1.4 milion letërnjoftimeve që u skadon vlefshmëria deri në ‎datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019, që përbën shumicën dërrmuese të zgjedhësve aktivë.

Asnjë përpjekje reale nuk është bërë nga qeveria për të vënë në jetë projektin pilot të votimit elektronik, si një mjet kundër mashtrimeve zgjedhore.

Asnjë përpjekje nuk ka në plan qeveria kundër presionit mbi administratën dhe abuzimit me burimet shtetërore siç rekomandon ODIHR.

Asnjë përpjekje nuk është bërë për sistemin e plotë dhe të saktë të adresave, mungesa e të cilit vazhdon të lejojë manipulimin e listave të zgjedhësve duke importuar zgjedhësit nga një qytet në tjetrin.

Asnjë masë nuk është marrë që policia e shtetit të garantojë që kriminelët të mos prishin procesin, në të njëjtën kohë të mos bëhet vetë ajo palë e manipulimit dhe presionit.

Ndërsa për problemin numër Një, atë të shitblerjes së votës, Edi Rama dhe drejtësia e kapur prej tij vazhdojnë të mbrojnë Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë të PS, të interceptuar edhe ligjërisht nga përgjimet e prokurorisë në pazare me kriminelët për të blerë vota dhe kërcënuar votuesit.

Nga njëra anë edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë kanë pranuar se këto probleme thelbësore nuk zgjidhen me Kodin Zgjedhor, por janë detyrë e qeverisë dhe çështje e vullnetit politik. 

Minat që PS po i vë sot reformës zgjedhore, synojnë të fshehin mosveprimin e qëllimshëm të saj për këto probleme. 

Synimi është i qartë, pa një reformë konsensuale, qeveria fsheh përgjegjësitë e saj dhe mbron vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve.

/Ora News.tv/