Qeveria parashikon më pak shpenzime për vitin e ardhshëm kryesisht për mirëmbajtje dhe shpenzime dhe kapitale. Në draft buxhetin për vitin e ardhshëm parashikohet gjithashtu ulje e borxhit publik, i cili parashikohet të arrijë në 65.3 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto 2019. Lajme të mira parashikohen ndër të tjera edhe për arsimtarët dhe sektorin e mbrojtjes ku parashikohen rritje pagash.

Shpenzimet operative dhe mirëmbajtjes parashikohet që të pësojnë një ulje gjatë vitit 2019. Kjo është e parashikuar në draft buxhetin e vitit të ardhshëm, tashmë të paraqitur në Këshillin e Ministrave për tu miratuar. 

Qeveria shqiptare synon që me anë të shkurtimit të shpenzimeve të ulë borxhin publik në nivelin 65.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me trend rënës në vitet në vijim, në 62.8 pëqind në 2020 për ta mbyllur mandatin e qeverisë në nivelin 59.9 për qind. 

Vihet re se konsolidimi fiskal do të vijë si rezultat i reduktimit të shpenzimeve publike në terma realë, ndërkohë që të ardhurat buxhetore mbeten konstante në periudhën 2019-2021.

Buxheti parashikon rritje pagash për sektorët shëndetësi, arsim parauniversitar dhe mbrojtje, me kosto buxhetore vjetore 3.2 miliardë lekë. 

Edhe pse ka qenë një kërkesë e përsëritur për rritje të kontributit financiar për NATO-n në draft konstatohet një ulje me 0.01% e fondit krahasuar kjo me një vit më parë.  Angazhimi i kërkuar është rreth 2% e PBB. 

Aktualisht Shqipëria kontribuon me 1.21%. Rritja ekonomike e vendit parashikohet që të jetë 4.3% në 2019. Në draft parashikohet ndër të tjera edhe zbatimi i premtimit të kryeministrit Edi Rama për rritjen e shpërblimit të lindjeve ku parashikohet të përfitojnë rreth 30 mijë familje me një fond total prej 2 miliardë lekë.

/Ora News.tv/