Projektbuxheti për 2019 i cili u miratua sot në Kuvend nen për nen ka shkaktuar debate mes mazhorancës dhe opozitës.

Këshilltari për ekonominë në PD, Dorian Teliti, i ftuar në Ora News vazhdon ti qëndrojë idesë së kryedemokratit Basha, se ky është një buxhet katastrofë.

Dorian Teliti: Buxheti është kastrofë, një buxhet që nuk jep shpresë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, favorizon ato 15-20 miq e shokë që hanë drekat dhe darkat kryeministrore dhe ministrore gjatë fundjavave. Ndërkohë 290 mijë shqiptarë arrijnë  të konsumojnë vetëm një vakt në ditë.Buxheti nuk jep përgjigje për shtresat në nevojë, për pensionistët, arsimtarët, mjekët dhe infermierët.Sot po na largohen dhe personat e punësuar.

Por ndryshe mendon, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave Gelardina Prodani.

Gelardina Prodani: Buxheti 2019 është një nga dokumentet më të mirë që ka pasur qeveria shqiptare për arsyen sepse siguron një rritje ekonomike të nivelit 4.3%, siguron që borxhi publik do të arrijë në nivelin 60% në 2021, buxheti që ul borxhin publik në nivelin 64.9% për 2019, buxheti që ul barrën e gjeneratës së re për të paguar duke sakrifikuar.Është një buxhet që mbështet sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. I jep lehtësira fiskale të gjithë sektorëve që ka prioritet qeveria, sikurse është turizmi, bujqësia, fasoneritë. Është një buxhet që ka një paketë sociale që është shtylla e këtij buxheti.

Teliti po ashtu ngre shqetësimin lidhur me faturën e PPP-ve.

Dorian Teliti: Këto kontrata koncesionare a do të paguhen nga buxheti i shtetit, nga buxheti i qytetarëve?Po, do të paguhen kokërr më kokërr. Vlera e tyre arrin në 12-13% të prodhimit të brendshëm bruto. Po i paguajmë nga 2-3 herë më shtrenjtë.

Gelardina Prodani: PPP ka lindur sepse publiku merr shërbimin më përpara sesa një buxhet shteti mund ta paguajë. Ajo që jemi kujdesur ne është që ai aset që do marrë në fund qeveria do të jetë rikapitalizuar. Publiku do fitojë shërbimin, ekonomia do të fitojë lekët e hedhura në treg, dhe nga ana tjetër asetet që merr qeveria do të jenë të rikapitalizuara.


/Ora News.tv/