Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë pritshmëri të larta nga Presidenca bullgare e BE.

Hashim Thaçi në një postim në fb, teksa uron Bullgarinë  për marrjen e kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së, kërkon vëmendje më të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Shtetin e Bullgarisë e uroj për marrjen e kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së. Këtë detyrë po e merr në kohë sfidash për BE-në, por edhe në momente të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënieve në mes të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.Ne e mirëpresim kryesimin e Bullgarisë dhe presim që zëri i Ballkanit Perëndimor të dëgjohet më shumë në Bruksel dhe BE, duke kërkuar prej tyre që të mos lejojnë që rajoni ynë t'iu ikë nga duart dhe të rrëshqas në interesat e shteteve dhe ideologjive që nuk ia duan të mirën Ballkanit dhe Evropës.Shpreh mbështetjen e plotë të Kosovës për promovimin e integrimit sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, si zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në tërë kontinentin tonë".

Edhe kryeministri Haradinaj thotë se pret nga Bullgaria të jetë zë i Kosovës në strukturat e BE.

“E mirëpres marrjen e kryesimit të Këshillit të Bashkimit Europian nga Bullgaria mike, e cila jam i bindur se do të fokusohet në përafrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Në këtë kontekst, pres që Bullgaria të jetë edhe zë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Europian. Republika e Kosovës po e bën të duhuren në zbatimin e plotë të MSA-së dhe që këtë vit të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Besojmë palëkundshëm në mbështetjen bullgare në këto procese.Bullgarisë i dëshiroj lidership të suksesshëm gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së".



/Ora News.tv/