Ekonomia shqiptare pritet të ketë një rritje më të ngadaltë në pjesën e dytë të këtij viti. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se treguesit e analizuar tregojnë se rritja ekonomike nuk do të jetë e njëjtë me atë të vitit të parë. Ndërkohë  ripërsëriti problemin e kreditimit të ekonomisë.

Pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë në pjesën e parë të vitit Banka e Shqipërisë parashikon që kjo situatë nuk do të jetë e njëjtë në gjysmën e dytë të 2017. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë deklaroi se të dhënat tregojnë se rritja ekonomike do të jetë më e ngadaltë.

Sejko: Aktiviteti ekonomik i vendit ka vijuar të shënojë rritje në tremujorin e tretë dhe të katërt, ndonëse disa tregues indirektë sugjerojnë një ngadalësim të lehtë në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike ka pasqyruar ambientin e favorshëm financiar, përmirësimin e besimit, impulset e gjeneruara nga rritja e punësimit dhe nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe momentin pozitiv të ekonomive partnere tregtare.

Guvernatori deklaroi se problemi vazhdon që të mbetet kreditimi i ekonomisë.

Sejko: Megjithatë, rritja e kredisë për ekonominë vazhdon të mbetet e zbehtë, duke shënuar vlerën 3.5% në muajin tetor. Zgjerimi i portofolit të kredisë vazhdon të mbështetet në zgjerimin e kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje vjetore prej 9.3%.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%.

 

 

/Ora News.tv/