Një gjykatë britanike  shpalli fajtorë dy shtetas shqiptarë për kultivimin e kanabisit.29-vjeçari Daniel Muhaj dhe 35-vjeçari Eglant Selenica, tashmë të arrestuar,  jetonin në një zonë industriale në Redgrave, Suffolk.  

Avokati i tyre tha se klientët e tij ishin viktimë dhe pjesa fundore e një rrjeti kriminal. Jeremy Kendall, duke kërkuar lehtësim të dënimit, tha se ata kishin luajtur “një rol të vogël”,  në këtë rrjet dhe se ishin në Suffolk prej më pak se një muaji.

Ata u arrestuan të hënën, pasi policia u sinjalizua për aromën e fortë të kanabisit nga pronari i ndërtesës dhe qiramarrësit e tjerë aty pranë. Ndërtesa ishte marrë me qira në nëntor.

Kur policia kontrolloi njësinë, ata gjetën “prodhimin e kanabisit në një shkallë industriale” me qindra bimë të pjekura, dhe pajisje të sofistikuara ndriçimi dhe ventilimi.

Muhaj dhe Selenica u mbajtën në paraburgim dhe do të dënohen në gjykatën e Ipsëich, në një datë ende të papërcaktuar, raporton BBC.

Në udhëzimet e dënimit, burgimi për ta fillon nga tre vite e gjysmë burg.

Dy shqiptarët mësohet se kishin hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Selenica ka një grua dhe një djalë tetëvjeçar në Shqipëri dhe kishte udhëtuar nga Rumania në Britani të Madhe për të gjetur punë në ndërtim përpara se t’i ofrohej 1.500 paund në muaj për të ruajtur bimët.

Ndërsa Muhaj hyri në Mbretërinë e Bashkuar në anën e pasme të një kamioni nga Franca dhe ndjeu se nuk kishte asnjë mundësi, përveçse të merrte detyrën për të paguar tarifën prej 8,000 paund.

/Ora News.tv/