Macroni i pret hovin Johnsonit: S’ka kohë për një marrëveshje të re për Brexit

Macroni i pret hovin Johnsonit: S’ka kohë për një

Kryeministri britanik Boris Johnson vijon përpjekjet për të siguruar mbështetje për një marrëveshje të re për Brexit-in. Ai i tha presidentit Emmanuel Macron se deri më 31 tetor ka kohë të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje. Por si në Berlin, ashtu dhe në Paris, Johnson nuk mundi të sigurojë dot mbështetje. Çështja kryesore është ajo e kufirit midis provincës së Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Kryeministri britanik Boris Johnson nuk mundi dot të sigurojë mbështetje për një marrëveshje të re për Brexit-in pas takimeve që pati në Berlin dhe Paris.

Ai i tha presidentit francez, Emmanuel Macron, të enjten se dëshironte një marrëveshje të re dhe besonte se një gjë e tillë është e mundur deri më 31 tetor.

Johnson-i u shpreh "fuqimisht i inkurajuar" nga ato që kishte dëgjuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë bisedimeve në Berlin të mërkurën.

"Unë dua ta bëj të ta bëj të qartë ty Emmanuel dhe popullit francez se unë dua një marrëveshje. Dhe mendoj se ne mund ta arrijmë atë. U ndjeva fuqimisht i inkurajuar nga takimet e mbrëmshme në Berlin,” tha Johnson.

Por presidenti, Emmanuel Macron, tha se koha nuk është e mjaftueshme për të negociuar një marrëveshje të re për Brexitit-in, por gjithsesi u shpreh i hapur për të gjetur një zgjidhje për çështjen e kufirit irlandez.

"Askush nuk do të presë deri më 31 tetor pa provuar të gjejë një zgjidhje të përshtatshme," shtoi Macron.

"Ajo që tha kancelarja Merkel, dhe që përputhet me përmbajtjen e bisedimeve tona, është nevoja për të pasur një ide të qartë brenda 30 ditëve," u tha Macron gazetarëve gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Johnson.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e sfidoi të mërkurën Britaninë të paraqiste alternativa për çështjen e kufirit irlandez brenda 30 ditëve, një sfidë të cilën Johnson-i e pranoi me gatishmëri.

Takimi i Macron-it dhe i Johnson-it erdhi disa ditë para mbledhjes së udhëheqësve të G7-s në Biarritz të Francës.

Ky takim pritet të trajtojë çështje të nxehta, duke përfshirë mosmarrëveshjet tregtare, ndryshimet klimatike dhe Iranin.

EMISIONET