Çështja "Brexit" dominoi debatin televiziv mes dy rivalëve që do të pasojnë kryeministren britanike, Theresa May. Konservatorët  Boris Johnson dhe Jeremy Hunt ndanë pikëpamje të ndryshme edhe për skandalin e fundit të telegrameve diplomatike kundër administratës së presidentit Donald Trump.

Dy kandidatët kryesorë për postin më të lartë ekzekutiv në Britaninë e Madhe kanë përplasur edhe një herë pikëpamjet e tyre.

Debati televiziv mes  Boris Johnson dhe rivalit Jeremy Hunt u dominua të martën në mbrëmje nga çështja "Brexit".

Favoriti për kreun e ri të qeverisë, ish-kryebashkiaku i Londrës, Johnson, përsëriti qëndrimin për ta nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian siç u vendos me votë tri vite më parë.

Johnson: "Mendoj se është shumë e rëndësishme që të shmangim çdo situatë që do e shtynte daljen nga BE-ja më 31 tetor."

Johnson nuk u përgjigj nëse do të dorëhiqej sikur të mos e përmbushte zotimin për "Brexit" në fund të tetorit.

Kjo nxiti kryediplomatin Hunt që ta fokusojë sulmin e tij te kundërshtari për shmangie të përgjigjeve direkte.

Hunt: "Boris ka një aftësi të veçantë: ti i bën një pyetje, ai të buzëqesh dhe ti harron se për çfarë e pyete. Kjo është cilësi e shkëlqyer për një politikan, por jo për kryeministrin e vendit."

Dy konkurrentët folën edhe për skandalin e fundit të kabllogrameve të ambasadorit britanik në Uashington, ku kritikohej administrata e Presidentit amerikan për paaftësi.

Hunt tha se nëse ai zgjidhet kryeministër, ambasadori nuk do të tërhiqet nga Uashingtoni, ndërsa Johnson vlerësoi raportet e veçanta me Shtëpinë e Bardhë.

Pasardhësi i kryeministres britanike Thereza May pritet të shpallet në datën 23 korrik, kur do të kenë votuar të gjithë anëtarët e Partisë Konservatore.



/Ora News.tv/