Në tre javë u kapën 400 emigrantë të parregullt nga Policia Kufitare dhe Frontex

Në tre javë u kapën 400 emigrantë të parregullt nga

Rreth 400 emigrantë të parregullt janë kapur në Shqipëri, që pas nisjes së misionit Frontex në kufirin e gjelbër me Greqinë. 253 nga këta emigrant janë kthyer vullnetarisht në Greqi, ndërsa pjesa tjetër po trajtohen në bazë të kërkesave për azil. Sipas drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj për RTV Ora, Operacioni Frontex po jep rezultatet e para, por problem është largimi i azilantëve nga qendra pritëse në Babrru në Tiranë.

Emigrantët e parregullt nga Lindja e Mesme që tentojnë të kalojnë përmes Shqipërisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian po përballen me masa të përforcuara në kufirin e gjelbër.

Dislokimi i oficerëve të policisë Frontex në kuadrin e 3 javëve ka dhënë rezultatet e para, ku që nga data 22 maj deri më sot janë kapur rreth 400 emigrantë të parregullt.

Sipas drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj, në një prononcim për RTV Ora, ardhja e Frontex në Shqipëri po jep rezultate dhe në varësi të ecurisë së operacionit, edhe shtetet kufitare të vendit mund të sjellin oficerë nën cilësinë e vëzhguesit, jo me të drejta ekzekutive.

Merkaj: Pika kryesore e marrëveshjes midis policisë së shtetit dhe Frontex po ecën shumë mirë. Nga komunikimi me homologët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë, ata janë në pritje të shohin hapat që ky operacion do të ndërmarrë pozitivisht në pjesën e uljes së emigrimit të parregullt. Mund të sjellin edhe ata oficerë të tyre, jo me të drejta ekzekutive, por në statusin e vëshguesit.

Nga 400 emigrantët e kapur gjatë kësaj periudhe 253 prej tyre janë rikthyer vullnetarisht nga kishin ardhur, ndërsa pjesës tjetër u janë marrë deklarimet e para, dhe po trajtohen në bazë të kërkesave për azil. 

Shumë nga këta emigrantë që aplikojnë për statusin e azilantit abuzojnë, pasi tentojnë të largohen drejt Malit të Zi dhe Kosovës.

Merkaj: Disa largohen në drejtim të Malit të Zi, por edhe në Kosovë një numër më i kufizuar.

Sipas Merkajt gjithashtu problem vijon të jetë gjetja e përkthyesve për intervistimin e emigrantëve të paligjshëm, për të kuptuar vendin nga vinë, rrugën që kanë ndjekur deri në momentin që kapen në Shqipëri.  50 oficerët e Frontex u vendosën me 22 maj në Kakavijë e Kapshticë me qëllim ndalimin e emigrantëve dhe veprimtarive kriminale ne kufirin mes Shqipërisë e Greqisë.

EMISIONET