Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëkohësisht një nga anëtarët e grupit të punës për hartimin e draft statutit të partisë, i ftuar në studion e Ora News ka sqaruar detaje të rëndësishme nga ky dokument i rëndësishëm për PD.

Sipas Bozdos risia më e madhe e këtij statuti është pikërisht delegimi i vendimarrjes tek antarësia.

Bozdo: "Risia më e madhe që sjell ky statut, është një mekanizëm i cili propozohet per herë të parë në politikën shqiptare. Ky mekanizëm sjell konsultimin e gjerë dhe të plotë të antarësisë së PD për kandidaturat politike duke filluar me zgjedhjet vendore e më pas ky mekanizëm do të zbatohet në zgjedhjet e përgjithshme".

Bozdo shpjegoi edhe etapat në të cilat kalon ky mekanizëm dhe që në fund merr vulën nga forumet kolegjiale të partisë.

Lidhur me çeshtjen e debatuar të kufizimit të mandatit të kryetarit, Bozdo qartësoi se statuti i ri jep më shumë se një formulë sesi mund të rrëzohet me votë kryetari.

Bozdo: "Një nen për kufizimin e mandatit të kryetarit të PD në rrethana të caktuara nuk ka ekzistuar në këto 27 vite në PD. Megjithatë si propozim është marrë në shqyrtim dhe si çdo propozim i kaloi një debati të rëndësishëm brenda gjithë forumeve. U mendua që një nen i tillë te mos futet pasi e para perbën një standard etik dhe moral dhe duhet respektuar si i tillë. E dyta sepse statuti sanksionon zgjedhjen e kryetarit në formë plebishitare me parimin një anëtar një votë.

Kjo do të thotë që anëtarët e PD kanë të drejten të rrëzojnë kryetarin duke zgjedhur një kandidaturë të dytë, të tretë apo te katërt. Dorëheqja është një akt moral dhe etik. Në këtë statut ekzistojnë të gjithë mekanizmat për të shkarkuar kryetarin nëse partia mendon se ky kryetar nuk duhet ta drejtojë. Me shumicë të thjeshtë Këshilli Kombëtar ia kalon këtë çështje Kuvendit dhe Kuvendi po me shumice të thjeshtë mund të rrëzojë kryetarin e PD. Kemi të bejmë me një kryetar i cili zgjidhet me minimumi 60 mijë vota dhe rrëzohet me 350 vota".

Sekretari organizativ i PD mohoi deklaratat e bëra nga dy anëtarë të Këshillit, të cilët thanë se nuk janë lejuar të flasin.

Ai tha se jo vetëm kishin të drejtën e fjalës, por edhe disa propozime të platformës së tyre janë integruar në statutin e ri.

/Ora News.tv/