Bota në alarm nga fruthi, edhe Shqipëria me 120 raste më shumë se në 2018

Bota në alarm nga fruthi, edhe Shqipëria me 120 raste  më

Agjencia UNICEF e Kombeve të Bashkuara raporton një rritje tronditëse të rasteve të fruthit në Shqipëri, ku vetëm vitin e fundit shifra e të prekurve krahasuar me vitin 2017 është rritur mbi 120 herë. Në botë raportohen mbi 300 mijë raste, me Ukrainën në krye me 30,3 mijë të infektuar.

Një raport i publikuar të premten nga agjencia UNICEF e Kombeve të Bashkuara tregon se në vitin 2018, në Shqipëri u prekën nga fruthi mbi 1,400 fëmijë dhe të rritur, krahasuar me vetëm 12 raste të një viti më parë.

Sipas të dhënave të siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik, më shumë të prekur raportoi rrethi i Tiranës dhe kryesisht në periudhën maj-qershor.

Rastet e reja nuk kanë ndalur as në vitin 2019, ku vetëm në gjashtë javët e para janë regjistruar mbi 90 të infektuar, të shpërndarë këtë radhë përveç kryeqytetit edhe në Lezhë apo Durrës.

Në mbarë botën, edhe atje ku më parë epidemia ishte asgjësuar tërësisht, gjatë 2018-ës virusi i fruthit infektoi mbi 300 mijë persona ose 50 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Drejtuesja ekzekutive e UNICEF, Henrieta For, tha se 74 për qind e rasteve u përqendruan në vetëm 10 vende, ku kryesojnë Ukraina me 30 mijë të prekur, Filipinet me 13 mijë raste por edhe Serbia me 4,300 të tilla.

Henrietta Fore: "Kjo është një sirenë alarmi. Për këtë sëmundje jashtëzakonisht infektive tani kemi një vaksinë të sigurt, efikase dhe aspak të shtrenjtë që prej dy dekadash shpëton 1 milionë jetë çdo vit. Nëse nuk marrim masa sot, pasojat për brezin e ardhshëm të fëmijëve do të jenë katastrofike."

Rastet e prekjes nga fruthi mendohet se janë shpeshtuar përgjatë viteve si pasojë e rritjes së numrit të personave që refuzojnë t'i vaksinojnë fëmijët e tyre, të druajtur nga mundësia se mund të cënohen fizikisht dhe mendërisht pas marrjes së saj.

Virusi tejet ngjitës mund të merret përmes frymëmarrjes madje edhe dy orë pas largimit të një të infektuari nga ambientet e brendshme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, një dozë e vaksinës së fruthit ka efekt mbrojtës në 93 për qind të personave të vaksinuar, ndërsa sëmundja mund të jetë fatale nëse prek veçanërisht fëmijët e kequshqyer ose ata që janë shumë të vegjël për t'u vaksinuar.

EMISIONET