BOOM: Theri me thikë fqinjin, dritë-hijet e një procesi gjyqësor për ta shpëtuar autorin

Emisioni BOOM i është rikthyer një çështje të trajtuar edhe më parë. Bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë të ndodhur në 2017 në Ujëmirë të Përmetit, ku një i ri i preu kokën fqinjit të tij.

Ajo që BOOM investigoi është fakti se nga të gjitha të dhënat rezulton se autori nuk është person me probleme mendore, siç e nxori  akt ekspertimi, 7 muaj pas kryerjes së vrasjes. Ky akt ekspertimi doli në konkluzion se  autori, i cili ishte edhe një komando vuante nga një diagnozë e rëndë si skizofrenia paranoide në momentin e kryerjes së veprës.

BOOM iu rikthyer kësaj çështje duke ndjekur procesin gjyqësor dhe çfarë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër.

Avokati Kondi Ilia thotë që gjykata e ka rrëzuar kërkesën e trashëgimtarëve të viktimës, për të rikthyer çështjen për rigjykim, pas shkeljeve të konstatuara.

Gjykatë e Prokurori e Shkallës së Parë në bashkëpunim me njëra -tjetrën nuk kanë shpallur vendim pushimi për këtë çështje siç e kërkon ligji, duke i humbur të drejtën e ankimit familjarëve të të ndjerit që është vrarë, një të drejtë që ata u detyruan ta kërkojnë në gjykatë të Apelit. Por gabimin e gjykatës së shkallës së parë Përmet e ka lënë gabim dhe gjykata e Apelit Gjirokastër.

Kondi Ilia, avokat: Seanca gjyqësore ka vazhduar 5 orë, po jo zhvillim i një debati gjyqësor. Gati 4 orë gjykata është tërhequr për të dhënë vendimin e saj, një rast i paprecedentë dhe gjykata ka vendosur mospranimin e kërkesës.


Që në gjykatën e shkallës së parë Përmet që është konstatuar një fakt i rëndësishëm i shkeljeve që janë bërë, nuk na është dhënë e drejta e ankimit.

Edhe prokuroria në bashkëpunim me gjykatën kanë bërë një sërë shkeljesh dhe gjykata e Apelit pretendon që ne nuk e kemi të drejtën për të bërë ankim. Në kushtet që në gjykim në shkallë të parë nuk kemi patur një vendim pushimi, as nuk është komunikuar një vendim pushimi, ne nuk kemi pasur mundësinë që të bënim një ankim në lidhje me vendimin e pushimit dhe ankimi është një e drejtë kushtetuese. Duke qenë se vetë gjykata e Shkallës së Parë nuk e korrigjoi këtë gabim që kishte bërë gjyqtari i vetëm në seancë paraprake, u thellua më tej nga gjykata e Apelit Gjirokastër, e cila nuk na dha mundësinë e ankimit. Ne kemi vazhduar kemi bërë rekurs në Gjykatën e Larte, dhe shpresojmë që me të gjitha këto shkelje të mëdha që ka kjo çështje do të arrijmë në një finalizim pozitiv. 

Prokurori pranon shkeljet

Vetë prokurori i prokurorisë së Apelit Gjirokastër ka qenë pro faktit që të shfuqizohej vendimi i gjykatës së shkallës së parë Përmet.

Në materialet e regjistrimit audio të kësaj senace gjyqësore të siguruara nga BOOM, prokurori pranon se në këtë proces ka pasur shkelje të rënda proceduriale, të cilat i kërkon kësaj gjykate t`i ndreq, duke rikthyer çështjen për rigjykim, por gjykata edhe kërkesën e prokurorit nuk e ka marrë parasysh. Ai pranon që prokurori i gjykatës së shkallës së parë përmet, ka gabuar , ka ndjekur një procedurë komplet të gabuar procedurialisht.

Gjyqtari: Fjala për ju prokuror.

Prokurori: Po, z.Gjyqtar. I vetmi nen që u jep të drejtë që të ankimojnë nje vendim mosfillimi ose pushimi të prokurorit, vendimi mosfillimit merret nga prokurori, ndërsa vendimi i pushimit dërgohet për miratim në gjykatë, është neni 58 gërma f e kodit të procedurës penale. Por kjo e drejtë gjatë gjithë shqyrtimit të gjithë kësaj çështjeje në shkallë të parë, në të dyja gjykimet, si në veprimet paraprake të gjytarit ashtu dhe në vendim themeli, kjo e drejtë ju është privuar trashëgimtarëve të viktimës. Procedura e ndjekur është komplet e gabuar, procedurialisht. Prokurori fillimisht e çon kërkesën për miratim të vendimit të pushimit. Në seancë gjyqësore ndryshon qëndrim dhe çon kërkesë për miratimin e kërkesës për gjykim. Një qëndrim i gabuar. Edhe procedurialisht nuk lejohet. Se ai mund ta tërhiqte kërkesën, mund ta merrte dosjen përsëri në prokurori dhe të dilte në një konkluzion tjetër.Por çfarë u shqyrtua në shkallë të parë, në veprimet paraprake që prokurori të ndryshonte qëndrim? Asnjë provë e re, asnjë konkluzion i ri, asnjëgjë.Prokurori ndryshon qëndrim dhe kërkon kërkesë për miratim të kërkesës për gjykim. Gjatë gjykimit të çështjes, pa u administruar asnjë provë, pa u shqyrtuar asnjë provë, dilet në konkluzionin për pushim.Po ky vendim pushimi që u mor në gjykim themeli me tre gjyqtar, duhej marrë në hetim paraprak, me 1 gjyqtar të vetëm. Tani lind problemi që pse ankimohet tani ky vendim nga përfaqësuesit? Nuk është ankimuar as nga prokuroria dhe as nga i pandehuri, po janë vetëm përfaqësuesit e viktimës.Gjithë këto shkelje, gjithë këto mohim të drejtash, kush do t`i rregulloj? I vërtetë është fakti që ne jemi përballë ndryshimeve të kodit të procedurës penale dhe nuk kemi vendime unifikuese që për ato boshllëqe që konstatojmë të dalim me një qëndrim që do ta kemi bazë përgjithmonë, por kjo nuk do të thotë që neve të kërkojmë një diçka që është e ligjshme. Një vendim pushimi që duhej marrë nga një gjyqtar paraprak , merret nga tre gjyqtar në vendim themeli dhe të mos jetë i ankimueshëm.Prandaj unë mendoj që kërkesa duhet të pranohet në bazë të nenit 408 , gërma ç, e kodit të procedurës penale, çështja të kthehet për rigjykim dhe në shkeljet e konstatuara si nga ana jonë, që do t`ja bëjmë të ditur prokurorisë së shkallës së parë, çështja duhet të kthehet në prokurori, pasi të vej në shkallë të parë, për rigjykim dhe aty prokurori të dal në konkluzionin, nëse duhet çuar për gjykim, apo duhet çuar për pushim duke njoftuar sipas ligjit procedurial penal dhe trashëgimtarët e viktimës. Prokurori do bënte dy gjëra, ose do t`i qëndronte kërkesës, ose do tërhiqte kërkesën, qëndrim të mesëm nuk ka. 


Të metat e akt ekspertimit

Gjatë seacës gjyqësore kryesuesi i trupës gjykuese vë në pah edhe të metat e akt ekspertimit psikiatriko-ligjor që ka nxjerrë të papërgjegjshëm për kryerjen e veprës penale, autorin e saj. Përpos këtij debati gjykata vendos të mos e pranojë ankimin e trashëgimtarëve të viktimës duke lënë në fuqi të gjitha shkeljet e ndodhura përgjatë këtij procesi, edhe nga prokuroria, por edhe nga ekspertët që realizuan aktin psikiatriko-ligjor.

Gjyqtari: Kjo sëmundje e pasqyruar në akt-ekspertim, për hir të së vërtetës në akt- ekspertim është pasqyruar vetëm me një konkluzion. Nuk ka historik, nuk ka anamnezë, historik familjar, ku është shfaqur, si është shfaqur, në ç'moment ka ndodhur? Ka qenë i shtruar i pandehuri ndonjëherë, është kuruar ndonjëherë nga kjo sëmundje? Akti i ekspertimit ka vetëm një intervistim që është bërë. Dhe nga ky intervistim është arritur në atë konkluzion.

Avokati i të pandehurit: Nëse e keni vënë re në procesverbalin e kqyrjes së vendit të ngjarjes në shtëpinë e Alban Vodës, krahas sendeve të tjera për kryerjen e veprës penale janë gjetur edhe disa ilaçe që ai i përdorte për kurimin e vet. Kjo tregon që ai ka pasur një prejardhje të kaluar, ka vuajtur.

Gjyqtari: Familjarët jetojnë, i ka prindërit?

Avokati i të pandehurit: I ka.

Gjyqtari: Janë pyetur familjarët? Kur i është shfaqur sëmundja, ku është trajtuar? Ka shkuar në ndonjë institucion të specializuar?

Avokati i të pandehurit: Alban Voda ka qenë i ngarkuar me detyra shteti , ka qenë i ngarkuar me misione jashtë në Afganistan, në një vend tjetër, dy herë. U gjetën në shtëpinë e tij ilaçe, medikamente për qetësimin e tij mendor në shtëpi ...

Gjyqtari: Këto ilaçe jepen me mjek specialist, te kush mjek?


Avokati i të pandehurit: Tani unë nuk e di.

Gjyqtari: Kjo gjë mund të realizohej.

Avokati i viktimës: Nga ka dalë?

Gjyqtari: Nga ka dalë?

Pra fakti që ai nuk ka pasur asnjë kartelë mjekësore që vuante nga sëmundje të shëndetit mendor, e pohoi dhe mjeku i zonës, dhe nuk egziston asnjë provë e dokumentuar, përveç akt eksperimit që është kryer 7 muaj pasi ka kryer vrasjen ngre një dyshim në lidhje me konkluzionin e akt ekspertimit. Dhe prokuroria s'ka kërkuar asnjë prove. Pra, edhe në këtë pikë, asnjë provë nuk ka që Albani vuante në momentin që kreu vrasjen nga diagnoza skizofreni paranoide që kanë thënë ekspertet psikiatriko-ligjor. Këtë dyshim e ngre dhe trupi gjykues, por në fund, edhe pse nuk ka asnjë provë që ai ka vuajtur para se të kryente këtë krim nga kjo sëmundje, gjykata vendos të rrëzoj kërkesën.

Vëllai i viktimës: Nëse s`ka drejtësi, ka vetëgjyqësi

Familjarët e viktimës pas vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër shprehen që i janë drejtuar strukturave të vettingut, ku kanë denoncuar prokurorë e gjyqtarë dhe ambasadës amerikane. Nëse s`ka drejtësi , ka vetëgjyqësi shprehet vëllai i viktimës.

Fredi Hoxha: Ne si familjarë dhe unë si vëlla këtë vendim gjyakte e pritëm shumë keq. Na erdhi shumë zor. Shpresonim se do kishim drejtësi, por drejtësia në këtë rast nuk doli. Të gjithë si familjarë janë shqetësuar çdo bëhet, valli iku po ne kërkojmë drejtësi. Prokurori mbrojti palën tonë. Prit 4 orë atje, u bënë 4 gjyqe, prisnim pretencën pretenca qe negative. Nipër, mbesa protestuam aty jashtë donim të kapnim xhaxhain e tij dhe ne me avokatin nuk i lejuam, frenuam një gjakderdhje që mund të ndodhte për momentin. U fol me të madhe vettingu vetingu deri tani po shohim asnjë rezultat. Ne kemi dorëzuar pranë organeve të vetingut ankimim, madje deri te ambasadori amerikan. I kemi njoftuar të gjithë, që kjo është gjendja në Shqipëri. Shpresojmë që gjykata e lartë të japi drejtësi. Po s`dha ne pastaj do kërkojmë strehim politik të ikim jashtë të gjithë si fis se pastaj ka vetëm vetëgjyqësi. 


EMISIONET