BOOM: Sistemi lë pa ndihmë ekonomike qytetaren për mjetin e shitur 4 vjet më parë

Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora solli denoncimin e Fitnete Çetës në Durrës, e cila nuk përfiton dot ndihmë ekonomike sepse figuron pronare e një automjeti edhe pse e ka shitur katër vite më parë

Fitnete Çeta: Kam katër vjet që kam pasur një makinë dhe e kam shitur për 400 mijë lekë kot, ka qenë makinë e vjetër. Kur shkoj te përkrahja më thonë se nuk përfiton se del me makinë. I thashë i kam bërë letrat, janë në rregull.Si ta kërkoj këtë të drejtë? Kam katër vjet që e kam shitur dhe dal me makinë. Jam hallexhie, pa punë, pa ndihmë. Shitjen e makinës e kam bërë me noter.


Shefja e Ndihmës Ekonomikë ne bashkinë Durrës, Mimoza Reka, thotë se Çeta i ka rënë pas shumë vonë problemit.

Mimoza Reka: Ka aplikuar para 2 viteve e ca. Ka rezultuar me makinë, automatikisht sistemi të penalizon. Zonja ka akt noterial të shitjes së mjetit por nuk e ka ndjekur çregjistrimin pranë zyrës së automjeteve në Shkozet. Dhe pastaj vjen pas dy vjetësh, është kohë shumë e gjatë.Sistemi të penalizon në rast se nuk je e sinqertë në deklarimet e tua.

Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror në Durrës, Petrit Ismailati.

Por ai thotë se zonja mund të aplikojë sërish në qershor për ndihmë ekonomike dhe do të bëjnë çmos që të mos penalizohet nga sistemi për një automjet që ajo realisht nuk e ka më në pronësi.

Petrit Ismailati: Sistemi e ka kapur për deklarues të rremë. Duke qenë se zonja ka ardhur të sqarojë kontratën e shit-blerjes, nga data 1 qershor-10 qershor ka të drejtë të aplikojë. Afati i deklarimit të rremë është 6 muaj. Zona të bëjë dy kopje të kontratës së shitblerjes dhe në momentin që të aplikojë në 1 qershor do ta shohim në sistem dhe do të themi që nuk e ka makinën pavarësisht se te sistemi i targave del se është me makinë, duhet ta zgjidhë te drejtoria e automjeteve. Do bëjmë çmos që të mos penalizohet për pjesën e automjetit. Duhet të ishte zgjidhur para dy vjetësh.



EMISIONET