BOOM: Shkolla 9 vjeçare në Belsh, pa xhama, ngrohje dhe me lagështirë

Emisioni investigativ BOOM në Rtv Ora News denoncoi mbrëmjen e sotme amortizimin e ambjenteve të shkollës 9 vjeçare në fshatin Dragot, e cila është nën administrimin e bashkisë së Belshit.

170 nxënës të cilët e frekuentojnë këtë institucion arsimor marrin mësim në kushte aspak të favorshme. 

Panorama që të paraqitet në këtë godinë janë xhama të thyer, mure me lagështirë. 

Po kështu tualetet janë jashtë funksioni dhe nxënësit nuk kanë se ku të kryejnë nevojat e tyre personale.

Një problem tejet shqetësues është dhe mungesa e ngrohjes, ndërsa temperaturat çdo ditë shënojnë ulje.

Më tepër i ndjeshëm ky problem është dhe për  fëmijët e vegjël të kopshtit, të cilët ndodhen në të njëjtën godinë. Në kor ata i drejtojnë një thirrje  kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani.

‘Xhaxhi Arif na rregullo kopështin, ne duam një kopësht të ngrohte dhe të bukur!’

I pyetur mbi këtë problem, Drejtori i Zyrës Arsimore Belsh, Mehmet Dervishi, thotë se janë në dijeni të gjendjes së shkollës por Bashkia nuk ka fonde per rikonstruksionin e saj.

Ai thotë se i kanë kërkuar Ministrisë se Arsimit që të akordoje fonde dhe se janë në pritje të përgjigjes nga ky institucion.


EMISIONET