Emisioni investigativ "BOOM" udhëtoi drejt fshatrave Bishtqethëm dhe Kadipashaj në Lushnje, fshatra në të cilat ndodhen dy kisha shekullore që kanë karakteristika të veçanta por që për fat ndodhen drejt rrënimit.

At Thoma Bame: Kisha "Fjetja e Shën Mërisë" është nga kishat më të vjetra të zonës, Monument Kulture. Gjatë ditëve me shi lagështira është e tepruar, pikon shumë. I bëjmë thirrje Ministrisë, Drejtorisë së Monumenteve, qeverisë, që të bëjë një ndërhyrje. Kisha është në rrezik, nga lagështira e tepruar, ka rrezik të këputen dhe trarët. Kolonat e brendshme janë të kalbura nga poshtë dhe çatia ka bërë ulje. Do të vioë një ditë që do të bien fare. Po nuk u bë ndërhyyrje do të bien fare. Kisha vizitohet nga banorët, edhe nga të tjerë. Vinë dhe vizitorë dhe lënë mbresa për kishën dhe vjetërsinë e saj. Gjatë këtij behari është mirë që të rindërtohet edhe njëherë.


E njëjta situatë është dhe në kishën e Shën Todrit në Kadipashaj.

At Harallamb Llupo: Është e viteve 1700. Përballë kemi dhe konakët e Manastirit. Momentalisht kisha është në gjendje të mjerueshme. Kisha qëndron në këmbë në sajë të mëshirës së Perëndisë.Gjej rastin ti drejtohem dhe Kryeministrit, për çfarë Monumenti flasim kur është drejt shkatërrimit?


BOOM u interesua pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Drejtoresha, Arta Dollani, pranon degradimin e këtyre dy kishave shumë të rëndësishme për zonën  e Myzeqesë, por thotë se për njërën ka përfunduar projekti i restaurimit, ndërsa për tjetrën është në proces.

Dollani: Për Kishën e Shën Mërisë kemi bërë inspektime dhe është miratuar projekti i plotë i restaurimit i cili do të gjejë vend shumë të afërt financimi dhe realizimi të këtij projekti gjatë këtij viti. Në proces është dhe kisha e Shën Todrit.Ka pasur ndërhyrje pjesore në 2012.Aktualisht Instituti po harton projektin e plotë të restaurimit për të gjithë elementët. Vlera e financimit për të dyja objektet mund të arrijë deri në 40 milion lekë të reja.

/Ora News.tv/