BOOM: Drejtoresha e shkollës nuk i njeh punën sanitares, e paguajnë prindërit

Kamera e emisionit BOOM ka udhëtuar në fshatin Poro në Vlorë, ku është përballur me shqetësimin e disa prindërve, të cilët janë të detyruar të paguajnë sanitaren e shkollës 9 vjecare "Loni Mone".

Prindërit paguajnë 100 lekë çdo muaj dhe këtë e bëjnë prej 5 vitesh.

Prind: Çdo fund muaji se kemi, se nuk kemi duan lekët e pastrueses. Paguajmë nga 1 mijë lekë për fëmijë, unë kam dy fëmijë dhe paguaj 2 mijë lekë në muaj. Ka raste që nuk na ndodhen të holla dhe fëmijëve i vjen trup të shkojnë, ndërsa ajo ja kërkon lekët.

Nxënës: Mësuesja na thotë po nuk i solle lekët thotë mos hajde në shkollë, hajde me prindërit.

Prind: Unë kam tre nxënës, tre mijë lekë çdo muaj. Fëmija thotë nuk vete në shkollë po nuk erdhe ti nesër. Le punën vij në shkollë që të flas me mësuesen, ajo më thotë që shko fol me drejtoreshën. Shkoj tek drejtoresha, ajo më thotë shko ankohu diku tjetër. 


Shpresa Mitraj, sanitarja e shkollës: Ka 5 vjet me këtë punë, pastroj edhe fëmijët japin nga 1 mijë lekë, por jo të gjithë. Pastrimi bëhet rregullisht, por ka nevojë edhe për ujë në banjë. Unë e ngroh në shpi dhe e çoj në shkollë. Unë paguhem 50-60 mijë lekë maksimumi 70 mije lekë.

Edhe  bashkeshorti i saj Arqile Mitraj shprehet se e gjithë familja merret me këtë shkollë, e ruan e pastron , madje merr uje nga shtëpia. Ata shprehen se me 60 mijë lek të vjetra në muaj i bëjnë të gjitha për atë shkolle dhe askund nuk figurojnë të punesuar, pra jane në të zezë.

Gazetarja e BOOM pyeti edhe drejtoreshën e shkollës, e cila tha se shkolla nuk ka as sanitare dhe as roje. 

Gazetarja: Përshëndetje!

Drejtoresha e shkollës: Përshëndetje!

Gazetarja: Zonja Shpresa më falni për shqetësimin. Unë jam Domenika, gazetare nga Ora Neës. Ndodhem pranë shkollës që ju drejtoni, këtu në Poro. Unë kam ardhur për një shqetësim të prindërve. Kam marrë disa telefonata nga prindërit që paguajnë lekë, paguajnë nga 100 lekë për pastruesen e shkollës.

Drejtoresha e shkollës: Jo, nuk ka një problem të tillë

Gazetarja: Pse si paguhet pastruesja?

Drejtoresha e shkollës: Po pastruese ne nuk kemi fare

Gazetarja: Nuk keni fare pastruese shkolle?

Drejtoresha e shkollës: Jo

Gazetarja: Po si ja bëni?

Drejtoresha e shkollës: Po si ja bejmë...me nxënësit

Gazetarja: E pastrojnë nxënësit shkollën?

Drejtoresha e shkollës: Po me mësues, me nxënës.Ça do bëjmë

Gazetarja: Mua nuk më rezulton kështu

Drejtoresha e shkollës: Duhet të jem aty unë tani

Gazetarja: Po pra, unë jam tek dera e shkollës dhe ju nuk jeni këtu

Drejtoresha e shkollës: Po, sa ikëm ne, sa ikëm

Gazetarja: Pyetja ime është e drejtpërdrejtë. Përse nuk paguhet pastruesja nga Bashkia dhe përse nuk është e emëruar si sanitarja e shkollës, por paguhet në të zezë? Gjithashtu nuk keni as roje shkolle

Drejtoresha e shkollës: Kjo gjëja është më shumë se aq

Gazetarja: Po hajdeni pra, ta spjegojmë

Drejtoresha e shkollës: Jo jo, nuk e kemi nevojë për problem sepse kemi bërë dhe kërkesat e kështu më the të thash dhe do shikoj tani në shtator

Gazetarja: Ku e keni ngritur problemin dhe që ju kanë dhënë shpresa për shtatorin?

Drejtoresha: Në Bashki

Gazetarja: Dhe çfarë ju është thënë?

Drejtoresha e shkollës: Që në shtator do shikojnë për këtë gjë. Problemi do zgjidhet në shtator zemër, na kanë premtuar

Gazetarja: Po ju tani nga fakti që shkolla nuk pastrohet nga pastruesja, pastrohet nga nxënësit, tani thoni që do zgjidhet në shtator. Ju aktualisht keni një pastruese që e paguani me 100 lekë nga nxënësit

Drejtoresha e shkollës: Nuk është pastruese

Gazetarja: Po çfarë është?

Drejtoresha e shkollës: Nuk është në kuptimin pastruese që pastron. Unë po ta kisha pastruese do ta kisha në organik më the të thashë. Nuk e kam as në organik as gjë motra

Gazetarja: Po pra, po nuk është e vërtetë që e pastrojnë nxënësit dhe mësuesit shkollën, e pastron një zonjë

Drejtoresha e shkollës: Po e pastrojnë, moj. Ja, të ishe ti sot atje do i shikoje me fshesë në dorë

Gazetarja: Po për rojen e shkollës si ja keni bërë?

Drejtoresha e shkollës: S'kemi roje motra, nuk kemi roje

Gazetarja: Po si e ruani shkollën?

Drejtoresha e shkollës: E ruan komuniteti shkollën

Gazetarja: Në Poro ndodh kjo se në asnjë vend nuk e ruan komuniteti. Gjithsesi në shtator do kthehemi sërish të shohim se si është zgjidhur kjo pjesa e pastrueses

Drejtoresha e shkollës: Absolutisht, të ktheheni dhe të shihemi nga afër

Gazetarja: Ok, faleminderit

Sanitarja ka çelsat e shkollës, ndërsa drejtoresha ia mohon punën

Por, për të provuar se Shpresa është sanitarja e shkollës, ajo na tregoi çelsin me të cilin hap dhe mbyll shkollën.

Shpresa Mitraj, sanitarja e shkollës: Unë e hap dhe e mbyll shkollën, kujdesem. Kur ik drejtoresha më thotë kujdesu për kompjuterat. Unë ngrihem nga gjumi dhe kontrolloj shkollën sikur e kam shtëpinë time. Mësuesët nuk vënë dorë këtu. Unë kur të vijë do ta pyes që pse e mohoi.

Gazetarja e BOOM iu drejtua Bashkisë Vlorë, ku u takua me drejtoreshen e Burimeve Njerëzore, Laura Brinja. Ajo tha se pozicioni i pastrueses në arsim është ende i paqartë. Sipas saj ndërhyrja e Bashkisë është që të ndërtojë një strukturë për arsimin, për sanitaret në arsim  që deri tani ka qenë e pamundur.

 Gazetarja: Pastruesja paguhet me lekët e prindërve, domethënë nga 100 lekë për çdo fëmijë që është në shkollë, ndërkohë nga komunikimi që pata me drejtoreshën e mohoi, ndërkohë që unë kam zërin e prindërve, fëmijëve, të vetë pastrueses, që ka rreth 5 vjet që punon në të zezë dhe nuk është marrë asnjë masë, ndërkohë që pjesa e punësimit të pastruesve të shkollës është përgjegjësi e Bashkisë dhe jo e Ministrisë

Drejtore e Burimeve Njerëzore: Akoma është i paqartë pozicioni, faktikisht i pastruesve të shkollave

Gazetarja: Parashkollori e ka komplet përgjegjësinë Bashkia dhe për edukatorët edhe për pastruesët, ndërkohë në sistemin shkollë  9-vjeçar, gjimnaz etj. sanitaret mbeten tek Bashkia. E kam të konfirmuar nga Ministria e Arsimit këtë

Drejtore e Burimeve Njerëzore: Struktura për arsimin vjen nga Ministria, ku vjen dhe fondi i pagave dhe struktura, kështu që ne nuk kemi asnjë kompetencë. Mund të kemi një ndërtim strukture nga struktura e Bashkisë po fondet për pagat janë të limituara, kështu që ajo kështu ka ngelur, kështu ka ardhur dhe kështu ka vazhduar. Duhet që, që kur ndërtohet struktura në Ministri, se ajo vjen gati. Shkollat janë të ndara me numër punonjësish, më numër sanitaresh. Ne na vjen numri i sanitareve për shkollat, na vjen numri i edukatoreve për kopshtet dhe ne nuk ndërhyjmë tek kjo pjesë.Është e kushtëzuar dhe vjen fiks për atë zë. Ai vjen, kjo është struktura, ky është numri i punonjësve dhe kjo është paga. Ndërhyrja e Bashkisë është që të ndërtojë një strukturë për arsimin, për sanitaret në arsim  që deri tani ka qenë e pamundur

Gazetarja: Ka ndonjë shans që të bëhet kjo gjë?

Drejtore e Burimeve Njerëzore: Ne ishim thjesht të bënim një riorganizim të dy shkollave, të Poros dhe shkolla tjetër e mesme. Janë dy shkolla aty që në njërën janë dy sanitare dhe në tjetrën nuk ka asnjë, por erdhi fundi i vitit

Gazetarja: Jo, ideja është që tani në gjithë këtë ju thoni që janë dy sanitare tek shkolla tjetër. Në gjithë këtë kemi një grua, një zonjë aty që ka punuar prej pesë vitesh dhe nuk është e drejtë edhe atë ta hedhësh në rrugë

Drejtore e Burimeve Njerëzore: Ky ishte ngërçi që ka ndodhur deri tani. Ne për të zgjidhur shkollën do bënim këtë  veprim, për të zgjedhur sanitaren që ka punuar atje pesë vjet, për momentin është e pamundur. Kjo është. Kjo është që ne nuk patëm një vendimmarrje për momentin dhe e lamë në shtator, të gjenim një zgjidhje

Gazetarja: Do gjeni një zgjidhje në shtator?

Drejtore e Burimeve Njerëzore: Kështu është situata faktikisht. Në strukturë nuk ka asnjë pozicion

Gazetarja: Pra, tek shkolla tjetër kemi dy pastruese

Drejtore e Burimeve Njerëzore: Është edhe gjimnaz

Gazetarja: Ështe dhe gjimnaz dhe këtu nuk kemi fare

Drejtore e Burimeve Njerëzore:  Kështu ka qenë e ndërtuar dhe kështu ka ardhur 

Gazetarja: Pra, mesa kuptoj unë duhet një ndërhyrje që tek Ministria

Drejtore e Burimeve Njerëzore:  Duhet të ketë një ndërtim tjetër po nga Ministria vjen ajo. Faktikisht struktura e arsimit vjen nga Ministria.


EMISIONET