Investimi prej afërsisht 300 milionë lekë i Bashkisë Gramsh për ndërtimin e depos së ujit në vitin 2002 , duket se ka shkuar dëm, teksa kjo depo nuk është vënë asnjë ditë në punë. Boom denoncoi abuzimin me fondet publike dhe dëmtimet që i janë shkaktuar ndër vite objektit në mungesë të funksionimit dhe ruajtjes.

Duket se shkak për këtë problem është bërë marrja e objektit në dorëzim nga ana e Bashkisë së Gramshit, teksa punimet nuk kanë qenë brenda parametrave teknik të projektit, konflikt i cili ka mbetur i pazgjidhur në vite.

Në vitin 2012 edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit të realizuar në Bashkinë Gramsh ka rekomanduar ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e këtij problemi dhe vënien e Depos së Ujit në shërbim të banorëve.

Nga viti 2012 deri tani sipas drejtorit të shërbimeve publike pranë Bashkisë Gramsh, grupi ad- hoc nuk është mbledhur për të zbatuar rekomandimin e KLSH.

Për drejtorin e ndërmarrjes së Ujësjellës kanalizimeve Gramsh, pas kaq vitesh depoja do të kërkoj meremetimin e pjesëve të dëmtuara e në të njëjtën kohë , duhet të pres dhe ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit për t`u vënë në funksion së bashku me të.

/Ora News.tv/