Kamera e emisionit BOOM ka udhëtuar drejt Shijakut, në shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”. Këtu  prindërit dhe nxënësit e kësaj shkolle denoncuan ngrohjen e fëmijëve me bombola gazi dhe rrezikun që që ju kanoset atyre.

Gazetarja e BOOM takoi drejtorin e kësaj shkolle, i cili dha arsyet se përsë ndodh kjo, madje ai na tregoi edhe ambientet e brendshme të klasave që ngrohjen e realizonin me bombola gazi.

“Është e vetmja mënyrë që kemi për të realizuar ngrohjen dhe prej disa vitesh ngrohja bëhet me gaz. Është edhe për ne një rrezik i vazhdueshëm, por shkolla nuk ka sistem ngrohje me energji elektrike pasi është e amtortizuar. Bombolat janë si ato që përdorim në shtëpi. Mundohemi të jemi sa më të kujdesshëm. Nuk i ndezim nëse nuk ka mësues në klasë”, tha drejtori.

E njëjta situatë është edhe në gjimnazin “16 shtatori” po në këtë qytet, ku nxënësit nuk kanë asnjë lloj ngrohje.

Vetë drejtori i gjimnazit pranon që nuk ka sistem ngrohje dhe përdorimi i gazit është parë si i rrezikshëm. Ai thotë se ngrohja me energji është e pamundur pasi rrjeti nuk përballon ngarkesën.

“Bashkisë i kemi kërkuar ndërrimin e bllokut të siguresave dhe linjës për të tentuar të bëhet diçka. zgjidhja ideale është investim në rrjetin elektrik”, tha drejtori.

BOOM iu drejtua bashkisë Shijak për prolemin e konstatuar në shkollën 9-vjeçare dhe na u tha që nuk ka ankesa në lidhje me metodën e ngrohjes.

Ndërsa për gjimnazin nuk ka as ankesë dhe as kërkesa dhe bashkia mund t’i ofrojë ngrohje me bombola gazi dhe shumë shpejt do të ketë rikonstruksion të rrjetit elektrik.

/Ora News.tv/