Jo të gjithë mësuesit me profesion kanë mundësi që ta festojnë 7 marsin, pasi shumë prejt tyre për arsye të ndryshme nuk e ushtrojnë punën e tyre.

E tillë është edhe historia e sjellë në emisionin BOOM, ku një mësuese anglishteje aktualisht punon si pastruese në një subjekt privat.

Ajo thotë se ka punuar për 20 vite mësuese, por prej disa vitesh që kur ka ardhur në Tiranë nuk e ushtron më profesionin e saj. Mësuesja thotë se ndihen  emocion për  kohën kur ajo ishte mësuese dhe i mbushen sytë me lot kur kujton 7 marsin.

Thotë se ka aplikuar për punë në shumë shkolla private dhe në drejtorinë rajonale të Tiranës, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Mësuesja e anglishtes: Unë kam mbaruar shkollën e lartë për gjuhë të huaj, gjuhë angleze në vitin 1987. Kam punuar arsimtare në qytetin tim të lindjes prej 20 vitesh dhe më pas kam 10 vjet që banoj në Tiranë. Po më jepet një mundësi ndryshe nga ato të tjerat, po punoj sanitare në një subjekt privat.

Ju punoni sanitare, ose ndryshe pastruese si ndiheni ju nga kalimi i ushtrimit të profesionit në këtë punë të re?

Mësuesja e anglishtes: Kjo është një zgjidhje tjetër dhe unë po e pranoj këtë, jam e detyruar. Nuk është turp puna.

Çfarë kujtoni nga 7 Marsi në vitet kur ju keni qënë mësuese?

Mësuesja e anglishtes: Çdo vit për mua ka qenë një kënaqësi e vecantë, tufat me lule që më mblidheshin dhe ishte kënaqësia më e madhe për mua.

Sot si ndiheni që është 7 marsi?

Mësuesja e anglishtes: Më mbushen sytë me lot kur gjithmonë kalon 7 marsi dhe janë kujtime shumë të bukur për mua. Kam dorëzuar dokumentat nëpër shkollat private edhe në drejtorinë rajonale por nuk më është dhënë e drejta që unë të ushtroj profesionin tim. Do kisha dëshirë që ta festoja edhe njëherë këtë ditë.

/Ora News.tv/