Dy ditë më parë Reporterët pa Kufij (Reporters Without Borders) raportuan se lideri i PD-së, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje fshehurazi anëtarëve të saj të bojkotojnë disa media me pretendimin se i shërbejnë propagandës së Kryeministrit dhe i bëri thirrje të tërhiqet nga kjo qasje.

Këshilltarja ligjore e Qendrës Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF),Flutura Kusari, e ftuar në RTV Ora thotë se këtë strategji të re të demokratëve e kanë lexuar si bojkot ndaj mediave.

Kusari: E kemi përcjellë çështjen e qarkores. Është diskutuar në PD dhe e shohim si thirrje për bojkot ndaj mediave që janë kritike ndaj PD, ndoshta dhe jo profesionale. U alarmuam. Presim që PD të mos veprojë njëjtë si PS.

Por përballë saj, ish- deputetja demokrate dhe ish-kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Albana Vokshi, pranoi që ka pasur diskutime por jo qarkore për bojkot.

Vokshi: Jam habitur kur kam parë këtë reagim të Reporters Without Borders. Standardet profesionale duhet të jenë ato që pasqyrojnë realitetin. Nuk mundet asnjë organizatë të vërë në gojën e kryetarit të PD-së diçka që nuk ekziston.


/Ora News.tv/