Bllokohet shitja e CNN

Bllokohet shitja e CNN

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur një padi për të bllokuar blerjen e Time Warner, pronare e CNN, HBO dhe Warner Bros, nga gjigandi i telekomunikimit AT&T.

Departamenti argumentoi se shkrirja do të zvogëlonte konkurrencën dhe do të sillte çmime më të larta të konsumit. Marrëveshja 58 miliardë dollarëshe e lajmëruar vitin e kaluar, sipas Departamentit dëmton shfaqjen në treg të opsioneve të reja televizive dhe detyron kompanitë ekzistuese të paguajnë miliona dollarë më shumë për të transmetuar programacionin e Time Warner.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump e ka kundërshtuar marrëveshjen gjatë fushatës së tij vitin e kaluar, duke shtuar polemikat rreth kësaj çështjeje.

Kompania AT&T premtoi se do ta luftonte këtë vendim, të cilin e konsideroi si një largim radikal nga praktikat amerikane të konkurrencës. Shefi i gjigandit të telekomunikimit, Randall Stephenson u shpreh se blerja e Time Warner kishte qenë në rrugë të mbarë deri së fundmi. 

Stephenson gjithashtu solli në vëmendje edhe shqetësimet lidhur me një influencë të mundshme politike në këtë lëvizje të Departamentit të Drejtësisë, nisur nga fakti se presidenti Trump është një kritik i hapur i CNN.


EMISIONET