“Ionian Refining and Trading Company – IRTC” sha,  kompania që shfrytëzon prej më shumë se një vitit rafineritë përpunimit të Naftës së ARMOS në Ballsh e Fier po i nënshtrohet një hetimi të plotë tatimor.

Administrata tatimore, do të verifikojë të gjitha transaksionet bankare të shoqërisë që ka krijuar sipas burimeve një borxhe prej mbi 50 milion euro ndaj shtetit.

Ora News arriti të konfirmojë se Drejtoria e Tatimeve të Tiranës ka kërkuar nga bankat tregtare informacion mbi çdo transaksion të kryer nga kjo shoqëri apo administratori Sulaj për të verifikuar nëse ajo ka transferuar para në llogari të tjera brenda po jashtë vendit.

Sipas të dhënave, kompania ka arkëtuar mbi 220 milionë euro nga shitja e naftës, ka krijuar mbi 50 milionë euro borxhe, taksa të papaguara kryesisht TVSH dhe taksë qarkullimi.

Të tjera burime nga tatimet thonë se që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar llogaritë e subjektit janë bllokuar me barrë siguruese dhe hipotekore.

Shifrat zyrtare nuk bëhen të ditura, por sipas rregulloreve, pas kalimit të afatit një mujor nga urdhri për vendosjen e barrës siguruese, të gjitha asetet do të sekuestrohen siç sanksionohen në ligjin për procedurat tatimore.

IRTC mori në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s në shtator të vitit 2016 sipas një marrëveshje me kreditorët privatë, ndërsa u prezantua nga qeveria si shembull suksesi.

Kriza në IRTC u zbulua në fillim të dhjetorit kur naftëtarët e rafinerive të Ballshit dhe Fierit dolën në protesta dhe denoncuan mosmarrjen e pagës së muajit nëntor krahas mospagimit të sigurimeve shoqërore për më shumë se 1 vit.

Naftëtarët dhe kompania arritën një marrëveshje të pjesshme me ndërmjetësimin e qeverisë, por kanë paralajmëruar që në këtë fillim janari do të nisin diskutimet mbi detyrimet e prapambetura dhe rinisjen e punës në rafineri.

Por kjo nuk është hera e parë që ARMO vjen në qendër të vëmendjes për detyrimet e papaguara ndaj punonjësve dhe shtetit.

Ky skenar është përsëritur thuajse çdo herë që kanë ndryshuar kompanitë administratore apo edhe qeveritë.

/Ora News.tv/