Biznesi në krizë, Tabaku: U dyfishuan taksat, 25 mijë biznese janë mbyllur

Biznesi në krizë, Tabaku: U dyfishuan taksat, 25 mijë biznese

Dyfishimi i taksave për biznesin e vogël në Tiranë ka detyruar tregtarët që të mbyllin qepenat. Jorida Tabaku tha nga selia blu se 25 mijë biznese janë mbyllur pas shtrëngimit nga qeveria dhe pushteti lokal. Sipas saj, krahasuar me 2015-ën, janë dyfishuar taksat për biznesin në kryeqytet.

Partia Demokratike akuzon dyshen Rama-Veliaj se kanë dyfishuar taksat për biznesin e vogël në kryeqytet.

Ish-deputetja, Jorida Tabaku, tha se biznesi sot paguan 328 milion euro më shumë krahasuar me vitin 2015.

Sipas saj, edhe pse taksat janë rritur, nuk po përkthehen në punë publike.

Tabaku: Ata që jetojnë dhe punojnë në Tiranë paguajnë 328 milionë euro taksa shtesë, të cilat nuk janë investuar në punë publike, që nuk i shërbejnë modernizimit të qytetit dhe rritjes së cilësisë së jetës në Tiranë. Binzeset janë më të prekurit nga rritja e taksave në kryqytet nën drejtimin e Erion Veliajt. Sot rreth 51 mijë biznese në Tiranë paguajnë taksa 2- 3 herë më shumë se 4 vite më parë. Në krahasim me vitin 2015, taksat për biznesin e vogël janë mbidyfishuar.Ne kemi marrë faturat të cilat i kanë shkuar bizneseve të vogla dhe vetë biznesi ka bërë krahasimin 2015-2019.

Më konkretisht, një sipërmarrës që zotëron një market të vogël në zonën e Tiranës, paguan 410 mijë lekë më shumë taksa më vit, që prej ardhjes në krye të bashkisë të Erion Velisë. Kjo vlerë është e barabartë me gati sa dy paga minimale. Një biznes i mesëm, për shkak të rritjes së taksave nga Veliaj, paguan 540 mijë lekë më shumë për arkën e bashkisë, e cila i heq kështu mundësinë biznesit të mesëm të punësojë një person më të kualifikuar. Një biznes i madh paguan 1 milion e 70 mijë lekë më shumë taksa në një vit.

Si pasojë e kësaj situate, tha Tabaku, në Tiranë janë mbyllur 25 mijë biznese.

Tabaku: Rritja e taksave nga Bashkia e Veliajt dhe nga qeveria e Ramës është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese, duke e kthyer Tiranën në qytetin më të shtrenjtë, në qytetin me taksat më të larta, në qytetin e pamundësisë. Këto 4 vite në Tiranë është rritur çdo taksë, por vende të reja pune nuk janë hapur, edhe pse Erion Veliaj, vetëm nga mbidyfishimi i taksave ka patur 328 milionë euro më shumë në arkën e bashkisë.

Tabaku nënvizoi se PD ka plan konkret për të përmirësuar këtë situatë.

EMISIONET