Prodhuesit shqiptarë kanë kërkuar shtyrje të afatit për vendosjen e faturave on-line. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Arben Shkodra e arsyeton këtë me kohën që duhet për vendosjen e sistemit por edhe me kualifikimin e punonjësve. Shkodra pranon se faturimi on-line do të ketë kosto shtesë për biznesin.

Sistemi i fiskalizimit duhet të shtyhet në kohë. Prodhuesit shqiptarë argumentojnë se ky proces kërkon përgatitje si nga ana njerëzore ashtu edhe teknologjike. Edhe pse e mbështet si nismë Sekretari i Përgjithshëm Arben Shkodra deklaron se bizneset vuajnë mungesën e kulturës teknologjike.

Shkodra: Në mungesë të infrastrukturës solide dhe të internetit ose cilësisë së internetit mund të hasim edhe probleme dhe problemet do shfaqen menjëherë në aktivitetin e përditshëm të biznesit dhe nuk e dimë si do merren nga administrata tatimore, që nuk janë të biznesit, por janë të infrastrukturës së vendit. Nisur nga këto ka vend nga ana jonë për të kërkuar një shtyrje, me qëllim për të pasur një plan më të mirë.

Sipas prodhuesve shqiptarë futja e sistemit online për faturimin e bizneseve do të krijojë kosto shtesë.

Shkodra: Kjo ka një kosto të vetën, ka një kosto mirëmbajtje etj. Nga ana tjetër do të ketë edhe një kosto për përditësimin, nëse është e mundur, ose kasat e reja fiskale të cilat do lidhen me këtë platformë të re. Përtej kostove të drejtpërdrejta që lidhen me ligjin, ka dhe kosto indirekte që lidhen me mënyrën si do funksionojë ky proces. 

Gjatë konsultimit me bizneset ministrja e Financave bëri me dije se do të shtyjë afatin e konsultimeve për këtë projektligj.

/Ora News.tv/