Është prezantuar sot në Romë raporti vjetor i realizuar nga Instituti Kombëtar i Studimeve mbi Investimet Sociale (CENSIS), sipas të cilit sipërmarrja e huaj në Itali po lulëzon në sektorin e industrisë, ndërtimit dhe në atë të shërbimeve

Çdo vit është në rritje është numri i sipërmarrësve emigrantë në Itali, mes të cilëve dhe atyre shqiptarë.

Të specializuar kryesisht në sektorin e ndërtimit, sipërmarrësit shqiptarë renditen ndër vendet e para së bashku me sipërmarrësit me origjinë rumune.

Ndërsa gjatë 10 viteve të fundit, kriza ekonomike në Itali ka çuar në reduktimin me rreth 12.2% të sipërmarrjes vendase, krejt ndryshe ka ndodhur me sipërmarrësit emigrantë numri i të cilëve është rritur me 31.7%.

Sipas raportit të CENSIS, në Itali janë aktualisht 447.422 sipërmarrje emigrantësh,  që përbëjnë 14.6% të numrit të sipërmarrësve vendas.

31.425 janë sipërmarrës shqiptarë të specializuar kryesisht në sektorin e ndërtimit, e që renditen të dytit në numër pas atyre me kombësi rumune.

Gjeografikisht numri më i lartë i tyre është përqëndruar në rajonin e Lombardisë, Toskanës e Lacios.

Sipërmarrësit me kombësi marokene në Itali shënojnë numrin më të lartë në sektorin e tregtisë me 64 690 biznese.  Pas tyre renditen sipërmarrësit kinezë me mbi 50 mijë biznese (50 899) të specializuar si në sektorin e tregtisë, ashtu dhe në atë të tekstileve e shërbimeve.

Sipas raportit të sotëm, mbi 60% e sipërmarrsve emigrantë kanë një aktivitet të stabilizuar ekonomik prej më shumë se 3 vitesh, ndërsa mbetet problematik raporti i garantimit të sigurisë në punë.

Mbi 46% e tyre percepton mbrojtjen e sigurisë e shëndetit në punë si një detyrim ligjor.

Sipërmarrësit emigrantë në Itali janë në moshë mjaft të re. Mbi 71% e tyre janë nën 50 vjeç dhe nga viti në vit shënon rritje sipërmarrja femërore.

/Ora News.tv/