Reforma e ujit do të prekë dhe biznese që shfrytëzojnë burimet nëntokësore. Në Kuvend, Këshilli i Minstrave ka paraqitur projektligjin i cili detyron kompanitë të vetëdeklarohen dhe më pas të nisë procedura e faturimit të sasisë që do të shpenzohet.

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, investitorët që do të shfrytëzojnë puse duhet të regjistrohen. E në rast se ky afat nuk do të respektohet, do të duhet të paguajnë gjoba që shkojë nga 500 mijë deri në 2 mln lekë.

Përsa i përket propozimit për vendosjen e matësave apo forma të tjera të pagesës, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të miratojë aktet nënligjore.

Politikat për menaxhimin e integruar të burimeve ujore do të jenë në kompetencë të plotë të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, institucion ky që sipas draftit të paraqitur në parlament, do të pësojë ndryshime.

Formalizimi i përdorimit të ujërave nëntokësorë u paralajmërua ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se nuk do të tolerohet asnjë pus industrial që merr ujë masivisht nga nëntoka pa u formalizuar dhe pa paguar taksë.

Në reformën e ujit përfshihet edhe ndëshkimi i konsumatorëve që abuzojnë apo dhe që kanë detyrime të papaguara.

/Ora News.tv/