Gazeta gjermane "Bild" ka publikuar 16 episode të reja me përgjime për blerjen e votave në Shqipëri. Në këto biseda është regjistruar edhe kryeministri Rama teksa flet me Drejtorin e Azilkërkuesve në Ministrinë e Brendshme. Në përgjime del edhe deputeti Pjerin Ndreu që kërkon kërcënimin e votuesve, ndërsa duke folur me Drejtorin e Arsimit i kërkon tu bëjë presion mësuesve. Në biseda të tjera një biznesmen guroresh është regjistruar duke shpërndarë para për votat dhe duke mësuar votuesit për mënyrën si duhej plotësuar fleta e votimit tek emri i kandidatit të PS-së.

Gazeta gjermane "Bild" ka publikuar 16 episode të reja me përgjime lidhur me shit-blerjen e votave në Shqipëri. Në përgjime dëgjohet kryeministri Edi Rama që i kërkon llogari Drejtorit për Emigracionin në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshi, teksa ky i fundit e informon se rezultati i zgjedhjeve do të jetë sipas pritshmërive.

Në përgjimin e dytë kryeministri Edi Rama përshëndet përmes deputetit Artan Gaçi punën e bërë nga Arben Keshi, të cilin Edi Rama e vlerëson për suksesin.

Në episodin e radhës një pjesëtar i PS-së informon Keshin se ka shkuar në një familje për të blerë vota. Përgjimi i katërt përmban bisedën ku një person informon Arben Keshin se për katër votues duhen 20 mijë lekë. Edhe në episodin tjetër është regjistruar një person që informon zyrtarin e Ministrisë së Brendshme se dy votues kërkojnë paratë për votën.

Bisedat e përgjuara vazhdojnë me kërcënimet ndaj punonjësve të administratës. Arben Keshi flet me Drini Gjeçin,  Drejtorin rajonal të Arsimit të cilin e ngarkon t’u kujtojë drejtorëve të shkollave se nëse nuk votojnë për Partinë Socialiste do të pushohen nga puna.

Më pas zyrtari i Ministrisë së Brendshme flet me shefin e policisë së Kamzës Sali Skura, i cili e informon për numrin e votuesve dhe i tregon përpjekjet për të penguar votimin. Skura thotë se ka penguar qindra votues për të shkuar nga Kamza në Dibër për të votuar.
Në episodin e radhës, deputeti Pjerin Ndreu urdhëron kërcënimin e votuesve dhe më pas flet me Drini Gjeçin, të cilit i kërkon tu bëjë presion drejtorëve për të votuar për PS-në.

Drejtori i Arsimit telefonon një drejtor shkolle të cilit i thotë se nëse ai dhe e gjithë familja nuk votojnë për PS-në, duhet të gjejnë punë tjetër. Përgjimet kanë dokumentuar presionet ndaj mësuesit Lavdërim Murati për të votuar për PS-në.

Në episodin e 15 të përgjimeve Bekim Krashi, pronar i një guroreje flet me një person i paidentifikuar për shpërndarjen e parave për të blerë votat.

Personi i paidentifikuar pyet se sa para kushton një votë, sepse ai ka dy familje me 5 vota në total. Vota për një votë është rreth 4 mijë lekë. Përgjimi i 16 përmban bisedën ku një votues është paguar për të votuar kandidatin socialist (numrin 1 në fletën e votimit).

Votuesi merr në telefon Bekim Krashin, dhe e pyet çfarë shenje duhet të vendosë te fleta e votimit.


Më poshtë audiopërgjimet e BILD nga 1-16,  të zbardhura nga Ora News 

"Këto përgjime tregojnë sesi kriminelët, zyrtarët e policisë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë socialiste përfshi dhe Edi Ramën, ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, kreu i komisionit të ligjieve Ulsi Manja, kreu i komisionit të Sigurisë Xhemal Qefalia dhe deputeti Pjerin Ndreu, i cili aktualisht është kryetar për bashkinë e Lezhës dhe kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dhe figura të tjera të qeverisë socialiste janë të përfshira në blerjen e votave duke intimiduar punonjësit e administratës. Pjesë e këtyre përgjimeve zbulojnë sesi një drejtor në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshi ka një skemë të qartë dhe strategji për blerjen e votës dhe për pengimin dhe listën e shantazhimeve. Pjesë e hetimeve gtë prokurorisë së antimafias shqiptare 184/ 2016 përgjimet kanë kapur dhe një telefonatë të kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit Arben Keshi, të cilat zbulojnë se krryeministri është në dijeni dhe i përfshirë në aktivitetin kriminal." shkruan BILD

Përgjimi numër 1

Neni 88 i Kodit Zgjedhor në Shqipëri ndalon përdorimin e administratës publike në zgjedhje. Gjithashtu neni 328/ a i Kodit penal ndalon pjesëmarrjen e zyrtarëve të administratës publike, githashtu ndalohet përdorimi i funksioneve publike për të influencuar në fushatën e kryeministrit.   Ligji parashikon dënimin nga 1-3 vjet burg por ligji nuk ndalon kryeministrin Edi Rama të vendosë një objektiv për drejtorin e ministrisë së Brendshme Arben Keshi për të siguruar votat socialistëve. Gjatë bisedës drejtori i siguron Ramës se do  i arrijë objektivat e tij dhe se rezultati i zgjedhjeve do të jetë sipas parashkimeve.

Edi Rama i telefonon drejtorit në Ministrinë e Brendshme Arben Keshi, një nga personat e akuzuar per blerje votash dhe intimidim.

Kryeministri Edi Rama (0682030272) me drejtorin e qendres per te huajt ne ministrine e Brendshme.

Edhe pse ligji ndalon zyrtarët e administratës publike të marrin pjesë në fushatë apo në zgjedhje për një parti politke, në ditën e votimit,  kryministri Edi Rama i telefonon Arben Keshit duke i kërkuar me insistim nëse i ka arritur objektivat. Drejtori e informon se rezultati i zgjedhjebve do të jetë sipas pritshmërisë, në bazë të informacionit që kishte arritur të mblidhte deri në atë moment nga komisionerët dhe njerëzit që e kanë hedhur votën tashmë

Arben Keshi: Po shefi!

Edi Rama: Hë mo, si duket?

Arben Keshi: Po mirë, te pritshmëritë jemi.

Edi Rama: E ke realizuar objektivin?

Arben Keshi: Them që po. Me atë që po na thonë komisionerët e kemi realizuar.

Edi Rama: Ashtu ëëë?

Arben Keshi: Them që po.

Edi Rama: Po ata maskarenjtë, kishin bërë presione mbrëmë?

Arben Keshi: Deshën të më kapin mua, punë dy minutash sa u futa te Shtabi se më prisnin te hoteli ku flija.

Edi Rama: Çfarë të bënin ty ata?

Arben Keshi: Nja 50 veta, thjesht këtë presionin me të goditur. Ai është legen, ai Flamur Noka.

Edi Rama: Ku ta del dot ty Flamur Noka mo?

Arben Keshi: Jo mo. Djali sa doli, kujtuan se jam dhe unë dhe e ndalën nja 50 vetë. Jo se i bënë ndonjë gjë, sa e goditën. Problemi është se ikën dhe se kapën dot.

Edi Rama: Më mirë, më rehat, se çi do sherret. Ti mendon se i kemi realizuar objektivin ëë?

Arben Keshi: Këtu te unë them që po. Mund të lëvizë më pak apo më shumë por nga ato që na kanë thënë komisionerët kemi pritshmëri të mëdha.

Edi Rama: Komisionerët i ke pas top ëëë?

Arben Keshi: Po, po. I kam pas shumë të mirë.

Edi Rama: Ok. Mirë vëllai.

Arben Keshi: Ishalla. Faleminderit.

Edi Rama: Ciao, ciao.


Përgjimi numër 2

Edi Rama vlerëson performancën e drejtorit Arben Keshi gjatë fushatës. Deputeti socialist Artan Gaci në bisedë me Arben Keshin.

Gaci shpreh respektin më të lartë dhe mirënjohjen që kryeministri Edi Rama ka për drejtorin Arben Keshi. Sipas Gacit, Edi Rama ia atribuon rezultatet në Maqellarë, rajon i Dibrës, si e gjitha një meritë e Drejtorit, sepse ai i 'rregulloi' të gjitha gjërat.

Arben Keshi: Mirëmëngjesi

Artan Gaci: Mirëmëngjesi, ça bëre?

Arben Keshi: Hic. Si ia kalove ti?

Artan Gaci: Mirë, rrimë. Bëmë qejf me shefin e madh (kryeministrin Edi Rama). Me superlativa për ty.

Arben Keshi: Faleminderit

Artan Gaci: Me superlativa. Jo, jo nga ai. Unë po e po, por ai.

Arben Keshi: Faleminderit

Artan Gaci: Tregoi edhe historinë e 2011. I ke pikët maksimale.

Arben Keshi: Inshallah kthehen në realitet se ngela kështu. U bënë 3 vite.

Artan Gaci: Jo, jo kthehet, kthehet. Vlerësim të jashtëzakonshëm për të gjitha. Ai (Rama) tha se gjithçka në Maqellarë ishte falë teje. Ai është personi tha. Është tha, e ka kopsit, i ka bërë aty komplet të gjitha gjërat. Edhe në 2011 fitoi, tha, po ndodhën disa ashtu në një kuti.

Arben Keshi: Hajt më, ça të bësh. Ashtu ka qenë e shkruar.

Artan Gaci: Mertia e Benit tha është për të gjitha.

Arben Keshi: Rrofsh, faleminderit.

Artan Gaci: Desha që ta thosha që ashtu...

Arben Keshi: Po, po rrofsh. Shumë faleminderit.

Artan Gaci: Hajt, Beni. Kur të vish në Tiranë lidhemi ndonjëherë.

Arben Keshi: Po,po.


Përgjimi numër 3

Përse kryeministri Edi Rama është kaq  mirënjohës, cfarë detyre ka plotësuar drejtori i Ministrisë së Brendshme. Çfarë ka bërë ai 'për të caktuar' rezultatin e zgjedhjeve. Si ia arriti ai objektivit të kryeministrit Edi Rama për të siguruar vota për PS-në?

 Përgjigjja është se Arben Keshi është një nga personat kyç në akuzë për  blerje vote, duke detyruar punonjësit e administratës publike të votojnë për PS dhe gjithashtu ai i dha urdhrat Policisë së Shtetit për të bllokuar votuesit e Partisë Demokratike për të votuar.

Arben Keshi në bisedë me një tjetër person (0685922860). 

Një përfaqësuesi i PS, i paidentifikuar telefonon Arben Keshin dhe e informon se është tek një familje duke blerë votat. Por kryetari i familjes nuk pranon ta shesë votën për pak dhe kërkon më shumë. 

Drejtori i thotë atij se nëse nuk i pranojnë paratë që i ofrojnë atëherë nuk ka problem, le të shkojë të votojë PD.

Arben Keshi: Nga u zhduke?

0685922860: A u lodhe?

Arben Keshi: Ku shkove?

0685922860: Jam pak tek Tasia, këtu poshtë

Arben Keshi: Ku?

0685922860: Tasia

Arben Keshi: Ku?

0685922860: Tasie Lleshi

Arben Keshi: Po çfarë thotë?

0685922860: Nuk do ia Refiku

Arben Keshi: Po në rregull, mirë

0685922860: Ajo tha tek 30-ta, nëse nuk janë 30 nuk ashtu

Arben Keshi: Po lëre. Nëse nuk i duan lëre. Të shkojë tek PD-ja.

0685922860: Ok, mirë.

 

Përgjimi numër 4

Drejtori në Ministrinë e Brendshme komunikon me numrin  0686434568 në zotërim të një mësuesi. Ai ofron të sigurojë katër vota për 20 mijë lekë.

Arben Keshi: Hë mo!

0686434568: Kam një Altin këtu te Shtabi. A e njeh?

Arben Keshi: Nuk di asgjë, i kujt është Altini?

0686434568: Ë?

Arben Keshi: I kujt është Altini?

0686434568: I Isuf Qokut, një ish-nxënësi im.

Arben Keshi: Po, dhe ca ka ai?

0686434568: Problemi i tij është kështu, ai do 20.000 lek, thotë kam katër veta. Do krijohet këtu në Tërnova. Nuk e di tha, kam fol me Shemsiun, ai tha se Shemsiu ka një problem. Komunikova pardje.

Arben Keshi: Po.

0686434568: Atij zotërisë, Kollashitit, rrugës sa u ndamë i thashë Anës, i thashë vëllait të tij është në emrin tënd.

Arben Keshi: Jo në emër tim?

0686434568: I thashë është në emrin tënd, në emrin e Drejtorit të Arsimit, ia thashë, ia komunikova.

Arben Keshi: Mirë.

0686434568: Mbarova punë me të. Edhe Gëzim Hoxha që kisha problem se ka qenë në Itali, në Amerikë dhe erdhi sot, u kry se është kushëri me vjehrrën time, Gëzim Hoxha. E ke parasysh. Vjehrra ime është mbesë e Ismail Merlanit.

Arben Keshi: Po, e kam parasysh.  

0686434568: Nëna e Merlanit dhe nëna e Gëzimit janë kushërira.

Arben Keshi: Po mirë, ok.

0686434568: Është e mbaruar ajo punë. Bujar Kurtazën e kam komunikuar prapë sot dhe Vebi Muhametin. Kunata e Vebiut është mbesa e Rem Ramës.

Arben Keshi: Po ato vëllezërit e Vebiu na canë dërrasat duke u zënë, ky thotë hala...

0686434568: Jo, jo, s'ka lidhje me ata fare ai, nuk është përzi ai. Nëse ke informacionin më të vogël, ma thuaj mua.

Arben Keshi: Jo, se kam parë.

0686434568: Ai ma ka thënë troc mua në zyrë, ok?

Arben Keshi: Ok, në rregull.

0686434568: Unë ti kam mbaruar të gjitha punët pa përjashtim. Edhe atij zotërisë ja kam bërë të qartë në sy të Bujar Spahiut. Troc ja kam thënë mu para lokalit të Begut.

Arben Keshi: Mirë, në rregull.

0686434568: Po qe ashtu, pyet Neki Ukën, pyet Din Jasharin.

Përgjimi numër 5

Arben Keshi  telefonatë me dy persona të paidentifikuar me numra telefoni 0686913636 dhe 0675590725 për mospagesën e votuesve.

Arben Keshi: Hë mo!

0686913636: Më dëgjon?

Arben Keshi: Po mo Çakran.

0686913636: Ej, për Zotin nuk ka lëviz hiç.

Arben Keshi: Jo nuk ka lëviz, sa më mori. Ka mbaruar me gjithë ata që ka policë. Dizinformojnë më shumë. Si çon tre netë Tanin me atë se nuk ka qenë në listë hiç ai Uruçi.

0686913636: Më mori Nexhipi.

Arben Keshi: Nexhipi nuk ka qenë në listë.

0686913636: Një sekondë.

Arben Keshi: Ma jep numrin e Nexhipit ta marr unë në telefon.

0686913636: Ok.

Arben Keshi: Xhabir Elezi, Sokol.

0675590725Po.

Arben Keshi: Ka ndonjë gjë andej, u ke dhënë gjë apo nuk u ke dhënë?

0675590725Po, po, të dyve.

Arben Keshi: Ai ka ardhur këtu dhe thotë jo.

0675590725Ka ardhur Xhabiri?

Arben Keshi: Po.

0675590725Merre me vete, sille këtu.

Arben Keshi: Ok. E ke aty apo flet kot ai?

0686913636: Jo mo.

Arben Keshi: Ai thotë merre me vete të ma bjerë këtu.Unë ja kam dhënë tha.

0686913636: Ok.

Përgjimi numër 6

Arben Keshi në telefonatë me një person të paidentifikuar (0686913636).

Një person i paidentifikuar telefonin drejtorin në Ministrinë e Brendshme, duke e informuar që personi që refuzoi paratë e ofruara për votat gjatë javës, ka ndryshuar mendje dhe se i kërkoi paratë nëpërmjet xhaxhait të tij.

Drejtori i jep instruksione për ti dhënë paratë. I njëjti person e pyet për diçka tjetër, por Drejtori i thotë se do i kthejë përgjigje me mesazh pasi nuk mundet të flasë në atë moment.

Arben Keshi: Nuk ka ardhur. E ka te fikur telefonin, por nuk po vjen.

0686913636: Ah, dëgjo vëllain këtu

Arben Keshi: 

0686913636: Ai që nuk pranoi ofertën këtë javë

Arben Keshi: Po

0686913636: Ka ardhur duke më kërkuar. Është këtu xhaxhai i vet.

Arben Keshi: (Qesh). Mirë, e di vetë.

0686913636: Kështu ti. Ai Xhevati thotë mbarova punë.

Arben Keshi: Mbaroi

0686913636: Ndërsa e dyta është rreth ...(Nuk kuptohet)

Arben Keshi: Ta shkruaj me mesazh sepse nuk flas dot

0686913636: Ok

Përgjimi  numër 7

Drejtori në Ministrinë e Brendshme Arben Keshi telefonon drejtorin e Arsimit në Dibër Drini Gjeci.

Keshi: O Drin!

Gjeçi: Hë mos si je? A je mirë?

Keshi: Mirë, si shkove ti?Me shëndet, a je lodh?

Gjeçi: Nga pak, si ja çon ti?

Keshi: Mirë, mirë. Si është puna?

Gjeçi: Mirë.

Keshi: Është mirë puna?

Gjeçi: Mirë duket.

Keshi: Ka lëvizje andej?

Gjeçi: Jo.

Keshi: Nuk ka shumë ë, mirë.

Gjeçi: Jo.Çfarë ke bërë ti?

Keshi: Hiç, lëvizje e madhe këtej.Ty ec jena.

Gjeçi: A thua të kanë dëgjuar ata drejtorët?

Keshi: Vallahi merri në telefon një nga një. Ditën e hënë keni shkuar për lesh, merri të gjithë. Të gjithë drejtorët në telefon, të marrin një nga një dhe të raportojnë. Po flejnë gjumë, përveç se me Gëzimin dhe Arjanin, me asnjanin nuk kam fol.

Gjeçi: Çfarë ti marr në telefon, Haxhiqimes nuk kam çfarë i them, gra janë ato.

Keshi: Ore gra e burra çfarë të jenë. Do t'ja kujtoni një më një të gjithë mësuesve sipas listës i keni pru aty nëse ditën e hënë duan të jenë në punë. Se nuk duan në p+++ të sëmës do ti çoj se jua kam q+ robt.

Gjeçi: Ja ti marr Drini në telefon tani.


Përgjimi numër 8

Përdorimi i policisë për të penguar votuesit e PD.

Arben Keshi në bisedë me shefin e policisë, Sali Skura (shefi i policisë në komisariatin numër 5 në Kamëz).

Drejtori i Ministrisë së Brendshme Arben Keshi flet me shefin e policisë së Kamzës, duke i shprehur shqetësimin dhe i kërkon informacione rreth votuesve të PD që jetojnë në Kamëz dhe duhet të votojnë në Dibër.

Shefi i policisë Kamëz pasi i jep informacione rreth numrit të votuesve të PD që pritet të shkojnë për të votuar, e informon se po përpiqet të ndalojnë votuesit të shkojnë të votojnë. Ai thotë se ka vendosur disa postblloqe policie për të ndaluar votuesit e PD dhe se apo po ndjek gjatë gjithë kohës të gjitha lëvizjet e atyre që votojnë në Kamëz dhe pritet të shkojnë për të votuar në Dibër sepse janë regjistruar atje për të votuar. Shefi i Policisë Kamës kërkon disa informacione rreth situatës së Partisë Socialiste në disa qarqe të Dibrës.

Arben Keshi: Urdhëro

Sali Skura: Shef Beni si të kam? Saliu jam

Arben Keshi: Kush?

Sali Skura: Sala në Kamëz. Sali Skura

Arben Keshi: Hë, çkemi

Sali Skura: Si të ka vëllai?

Arben Keshi: Mirë, si ia kalon ti?

Sali Skura: Mirë. Hë a u lodhe?

Arben Keshi: Hajde më, lodh.

Sali Skura: Si po shkon?

Arben Keshi: Mirë duket, po na këputët ju të Kamzës.

Sali Skura: Po, pra po.

Arben Keshi: Bllokoni autobusët e Kamëz o shok.

Sali Skura: Kemi nxjerrë postblloqe. Të shohim. Nesër nga ora 3 e kanë ndërmend të nisen, 3-3:30.

Arben Keshi: A keni ndonjë informacion sesa do nisen?

Sali Skura: Nga ora 3:30 do nisen. I kemi marrë disa masa

Arben Keshi: A janë shumë

Sali Skura: Po, Për Zotin mendohet 450-500 veta.

Arben Keshi: I ka organizuar Xhelali?

Sali Skura: Por Xhelali ka organizuar gjithë bashkinë. Ai ka dërguar sonte tek turizmi i ri në Lurë. Kupto?

Arben Keshi: Po.

Sali Skura: Maqellara si duket?

Arben Keshi: Maqellara mirë sepse nuk ka njerëz nga Kamza këtu. Nuk kam njerëz nga Xhelali këtu.

Sali Skura: Problem është Lura.

Arben Keshi: Lura ëëë? Lura, Reçi besoj.

Sali Skura: Lura, Reçi, i gjithë krahu, e gjithë ajo krahinë atje. Po besoj komisionerët i ke mbas teje?

Arben Keshi: Po, po.

Sali Skura: Po qyteti, si duket qyteti?

Arben Keshi: Dhe qyteti mirë është. Pjesa këtej në Lurë, Reçi, këto që po bie Xhelali më.

Sali Skura: Po pra po. Melita (punonjëse e regjistrit civil) nuk ka çfarë të bëjë (manipulimi i adresave të votuesve)? Me kodet (kodet individuale të votuesve që identifikojnë se ku mund të votojnë)?

Arben Keshi: Jo, jo vëlla, nuk ka çfarë të bëjë në botë. Thjesht kanë gjendjen civile por nuk kanë çfarë të bëjnë.

Sali Skura: Se i pamë sot dhe i ndoqëm nga mbrapa gjithë ditën. Që nga mëngjesi domethënë. Hajde të uroj fitore.

Arben Keshi: Aq bëhet fjalë për 450 votues? Po sot ka ardh me njerëzit e vet, të tjerë këtu në Lurë?

Sali Skura: Po po e ke parasysh vetë. Ai dërgoi furgona. Kemi vendosur postbollqe, në tre pika. E bëmë edhe dje.

Arben Keshi: Vetëm këtë pjesën e informacionit, është vetëm Lura apo edhe ndonjë zonë tjetër, ta dimë pak a shumë.

Sali Skura: Po, po kemi sinjal këtej, nga krahu këtej që mund të shkojnë

Arben Keshi: Aha rruga e parë, po i bien andej.

Sali Skura: Po

Arben Keshi: Mirë, shoku rrofsh.

Sali Skura: Mirë Beni, Suksese.

Arben Keshi: Kalofsh mirë

Sali Skura: Me fitore


Pergjimi numër 10 

Përvec kryeministrit i cili i është shumë falenderues për performancën e tij, përgjimet zbulojnë se Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme është shumë afër dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PS-së përfshi dhe Vangjush Dakon, kryebashkiakun e Durrësit, Taulant Ballën kreun e grupit parlamentar dhe Damian Gjiknurin ministrin e Energjetikës si dhe sekretarin për zgjedhjet në Partinë Socialistr, Artan Gaci i cili është bashkëshorti i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhacka.

 Përgjimet zbulojnë një tjetër fakt të rëndësishëm: Ministri Damian Gjiknuri ka vënë në dispozicion të drejtorit Keshi një grup të njohur kriminelësh, 'djem problematikë" sic i quan ai të përdoren nëse e kërkon situata.

Ministri Damian Gjiknuri është në bisedë me Arben Keshin, drejtorin e qendrës për të huajt ilegalë në ministrinë e Brendshme në Shqipëri.

Ministri  Energjisë i konfirmon drejtorit se i ka dërguar një minibus me disa 'djem problematikë"  (persona me rekorde kriminale, për ta shoqëruar atë dhe t'i ketë ata në rast se i duhen.

Damian Gjiknuri: Ça bëhet?

Arben Keshi: Asgjë

Damian Gjiknuri: Ndonjë shqetësim?

Arben Keshi: Po duhet të vijnë tani këto deputetët se kanë ardhur këto të PD

Damian Gjiknuri: Po do vijnë. Tani do vijnë se si duket fjetën i çik se kanë qenë gjithë natën aty. Tani do vijnë.

Arben Keshi: Nuk kam fjetur fare

Damian Gjiknuri: E di, e di. Ja tani do vijnë.

Arben Keshi: Që të vijnë të dalin nëpër qendrat

Damian Gjiknuri: Patjetër.

Arben Keshi: Se edhe vëzhguesit e atyre janë nga rrethet, askush nuk i njeh

Damian Gjiknuri: E di, e di. Ashtu i kanë sjellë ata se nuk kanë besim tek ata të vetët. Unë do të çoj disa çuna ti kesh aty, një furgon të jetë aty."

Arben Keshi: Mirë

Damian Gjiknuri: Po i nis disa që të jenë aty, do vijnë tek shtabi jot. Të jenë për çdo rast. Të mos dalin sepse janë nga ata tipat problematikë por gjithsesi të jenë aty për çdo rast.

Arben Keshi: Mirë.


Përgjimi numër 11

Deputeti Pjerin Ndreu telefonon Drejtorin e Arsimit në Dibër Dritan Gjeçi dhe i kërkon që ti telefonojë drejtorit të shkollës Reshat Elezi dhe ti thotë që të deklarojë votën hapur për PS. Ndryshe, i thotë Ndreu Gjeçit, tregoja vetë ditën e hënë se ku "fluturon".

Pjerin Ndreu: Mirëmëngjesi.

Dritan Gjeçi: Mirëmëngjesi

Pjerin Ndreu: Pjerin Ndreu jam. Si je?

Dritan Gjeçi: Po Pjerin. Si ia kalove?

Pjerin Ndreu: A je mirë? Si ia kalon?

Dritan Gjeçi: Mirë jam mirë.

Pjerin Ndreu: Bëja një telefon këtij Reshat Elezit, këtij drejtorit të Reçit. Thuaji drejtorit të shkollës, thuaji të deklarojë votën hapur se ato mesazhet që i çon poshtë e përpjetë thuaj nuk janë shumë të këndshme. Deklaroje veten hapur atje se e ke për PS ndryshe ditën e hënë tregoja vetë se ku fluturon.

Dritan Gjeçi: Reshat Elezaj?

Pjerin Ndreu: Po

Dritan Gjeçi: Flas unë tani me të.

Pjerin Ndreu: Tregoi se ku fluturon të hënën.

Dritan Gjeçi: E rregulloj unë atë punë.

Pjerin Ndreu: Deklaroje votën hapur për PS aty. Ose të deklarohet hapur për PS ose të gjej vend e të futet.

Dritan Gjeçi: Hajt se e mbuloj unë këtë punë.


Përgjimi numër 12

Drejtori i Arsimit në Dibër Dritan Gjeçi zbaton menjëherë porosinë e deputetit socialist Ndreu dhe telefonon drejtorin e shkollës së Reçit, Reshat Elezin.

Drejtori i Shkollës: Alo mirëmëngjes drejtor

Drejtori rajonal i Arsimit: Mirëmëngjes si ia kalove? A je mirë, ku je

Drejtori i shkollës: Jam tek qendra e votimit

Drejtori Rajonal i Arsimit: A e more të tërë familjen me vete?

Drejtori i Shkollës: Familja ime? Jo ata nuk do vijnë të votojnë tani. Do ti marr më vonë.

Drejtori Rajonal i Arsimit: Dëgjo.

Drejtori i Shkollës: Po votoj vetë.

Drejtori Rajonal i Arsimit: Po cfarë qendre votimi voton.

Drejtori i Shkollës: Në Zallreç.

Drejtori Rajonal i Arsimit: Në Zallreç? Dëgjo sepse kam informacione jo të mira nga atje. Sot, vota jote dhe e familjes do të deklarohet haptazi. Nëse nuk deklarohet vota jote haptazi, vota jote dhe e familjes shko gjej një punë tjetër.

Drejtor i shkollës: Drejtor mos u shqetëso për këtë. A më dëgjon. Mos e vrit mendjen për atë punë.

Drejtori Rajonal i Arsimit: Ore do të deklarohet haptazi, kur them haptazi, haptazi.

Drejtori i shkollës: Mos e vrit mendjen fare, pa merak.

Drejtori Rajonal i Arsimit: Do ta deklarosh haptazi me të githë familjen.

Drejtori i shkollës: Pa merak, pa merak, pa merak. Në rregull.


Përgjimi numër 13

Drejtori i Arsimit në Dibër Drini Gjeçi telefonon mësuesin Lavdrim Murati dhe "e kërcënon" pse nuk ka votuar.

Gjeçi: Alo. Lavdrim Murati?

Murati: Po.

Gjeci: Drejtori i Arsimit të flet.

Murati: Urdhro.

Gjeci: A ke votuar?

Murati: Jo akoma.

Gjeci: Po pse more Lavdrim nuk ke votuar akoma?

Murati: Nuk kam votuar se të lirohet një herë radha.

Gjeci: Çfarë radhe?

Murati: Radha or ti.

Gjeci: Lavdrim të mos kemi llafe, votat i dua haptaz atje. Mos të kemi llafe më.

Murati: Ça flet o Drejtor?

Gjeci: Mos të pres më tej. Vota sa ke ti dua.

Murati: Më vjen keq.Të paskan sinjalizuar gabim.

Gjeci: Këtë llaf po të them.Ti e di vetë.

Murati: Në rregull.


Përgjimi 14

Ministri Damian Gjiknuri i jep një detyrë biznesmenit Bekim Krashi

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës i telefonon Bekim Krashit për transportimin e diçkaje, që dyshohet se është trasportim parash, duke e konsideruar atë si detyrë shtetërore.

Personi ngre dyshime për faktin se kush do e menaxhojë dhe më pas e konfir,mon se do e bëjë ai dhe do merret ai me mënjëherë me këtë.

Bekim Krashi: Po shef

Damian Gjiknuri: Bekim. Kush ka qenë dje tek komuna juaj që ka mbuluar atë pjesën e transportit (para). Ju edhe jeni shteti.

Bekim Krashi: Në fakt ne nuk jemi shumë shtet atje. Por unë njoh ca zona që i kam lajmëruar

Damian Gjiknuri: Po mirë, merre listën, merr ato gjënat ..

Bekim Krashi: merre listën , merr gjërat, sepse kjo është detyrë shteti

...

Bekim Krashi: Tani sa ti marr po vij atje pa merak


Përgjimi numër 15

Biznesmeni Bekim Krashi telefonon një person me numrin 0686795208 që siç duket e ka angazhuar për të identifikuar votues që janë gati të shesin votën. Ky i fundit thotë se ka identifikuar dy persona që kanë 5 vota në total dhe i thotë sesa mund ti paguajnë. Nga diskutimet mes tyre, flitet për të blerë rreth 4000 lekë një votë.

Bekim Krashi: Hë.

0686795208: Alo.

Bekim Krashi: Çfarë bërë?

0686795208: O Bekim si je, a je mirë?

Bekim Krashi: Hë, ça ke bërë?

0686795208: Doja të thoja pak për familjen e Halit Bashës.

Bekim Krashi: Po.

0686795208: Ka tre vota. Por ai do diçka more burrë i dheut, si t'ja bëjmë ne?

Bekim Krashi: A ke komunikuar me Naimin?

0686795208: Jam konsultuar pak por për Zotin nuk e di. Edhe për Fiqiri Bashën ka dy vota dhe ka dhënë thjesht 5000 lekë.

Bekim Krashi: Sa?

0686795208: 5000 lekë, kështu më tha Fiqiriu.Nuk e di sa e vërtetë është.Nuk e di si është me letra.

Bekim Krashi: Letrat do të mi japin një më një ata.

0686795208: Po tani si t'ja bëjmë, çfarë mund të bëjmë ndonjë gjë me ata?

Bekim Krashi: Jam në Peshkopi, po vi nesër unë dhe po i jap ndonjë gjë.

0686795208: Sa mund të japim për Halit Bashën?

Bekim Krashi: Sa kanë ata pesë?

0686795208: Tre vota ka Haliti dhe dy Fiqiri Basha.

Bekim Krashi: I japim ndonjë 4000 lekësh, 5000 lekësh.

0686795208: 5000 lekë për dy vota.

Bekim Krashi: Jo mo jo. Të paktën 3000, 4000 mijë për votë.

0686795208: 4000 lekë për votë?

Bekim Krashi: 10000 lekë i japim atij që ka tre vota.

0686795208:  Po këtij që ka dy vota?

Bekim Krashi: Atij i japim 6000-7000 lekë.

0686795208:  Naimi i ka dhënë 5000 thotë Fiqiriu.T'ja jap edhe 2000?

Bekim Krashi: Ata kanë pas shumë, po t'ja japin edhe 2000.

0686795208:  Shikoe njëherë se më duket se janë duke abuzuar me punë lekësh.

Bekim Krashi: Lëri këto diskutime me mua në telefon.

0686795208:  Të kuptoj.


Përgjimi numër 16

Votuesi telefonon biznesmenin Bekim Krashi dhe e pyet sesi do ta konfirmojnë votën për PS.

Votuesi: Mëngjes o Beko, si do të votojmë ne o burrë?

Bekim Krashi: Si?

Votuesi: Me kë të votojmë ne? Jam Drini

Bekim Krashi: Kush

Votuesi: Drini jam

Bekim Krashi: Numrin 1, 1 Drin

Votuesi: Me cfarë të votojmë ne? Si ta konfirmojmë votën.

Bekim Krashi: Në numrin 1 vër një vizë dhe kaq.

Votuesi: Si???

Bekim Krashi: Thuaji atyre se nuk di. Do vij unë e t'ju takoj nga afër.

Votuesi: A do të vish këtu poshtë?

Bekim Krashi: Po duke ardhur jam.

Votuesi: Hajde pra.

Kur ndodh publikimi

Publikimi i përgjimeve vjen një ditë para mbledhjes së krerëve të shteteve të Bashkimit Europian, që pikërisht në 18 Qershor do të vendoset për zgjerimin e unionit, që përfshin edhe fatin e Shqipërisë në lidhje me negociatat.

/Ora News.tv/