Ekonomia shqiptare ka dhënë sinjale negative të ecurisë në tre muajt e fundit të 2018 duke shfaqur shenja pesimizmi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë besimi në ekonomi ka rënë me 1.2 pikë. Bizneset por edhe individët nuk presin përmirësim të gjendjes ekonomike në vijim. Po ashtu edhe kredia vlerësohet se ka pësuar rënie me 35.3%.

Bie besimi në ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat që tregojnë se në tre muajt e fundit të 2018 bizneset kanë treguar pesimizëm për të ardhmen.

Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 1.2 pikë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, kryesisht si rezultat i rënies së besimit në sektorët e shërbimeve, të tregtisë dhe industrisë. Bizneset që operojnë në sektorin e industrisë e kanë vlerësuar me rënie aktivitetin e tyre për shkak të pritshmërive për rënie të prodhimit si dhe për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare.

Ndërtimi pret një situatë më pozitive të zhvillimit të këtij sektori por sipas treguesve sipërmarrësit nuk presin të rrisin fuqinë punëtore gjatë këtij viti.

Rënie të ndjeshme të pritshmërive për të ardhmen ka pësuar edhe sektori i shërbimeve, i cili ka një kontribut të rëndësishëm të ecurisë ekonomike të vendit. Pritshmëritë negative në këtë sektor lidhen me ecurinë e biznesit dhe me mundësitë për shfrytëzimin e kapaciteteve. Ndërkohë vetë qytetarët kanë një përmirësim minimal të pritshmërive financiare për këtë vit e megjithatë sipas Bankës së Shqipërisë situata e përgjithshme ekonomike vlerësohet me rënie.

Një tjetër tregues negativ i ecurisë ekonomike është edhe rënia e kreditimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë kredia ra në 35.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Peshën kryesore në këtë rezultat e ka mbajtur Portofoli i kredisë për sipërmarrjen i cili ka rënë në 23.2% të PBB-së, ndërsa ai i kredisë për individë është i qëndrueshëm në 12.1%.

/Ora News.tv/