48 orë pas zgjedhjeve të 4 marsit,  lideri i koalicionit të qendrës së djathtë dhe i Partisë Forza Italia, Silvio Berlusconi, ka thyer më në fund heshtjen me një komunikim mediatik.

"Koalicioni ynë është fituesi politik i këtyre zgjidhjeve. Gjithçka është tani në duart e kreut të shtetit e varet nga urtësia e tij", tha ai.

Duke iu referuar fitores së Lidhjes së Veriut e cila me 18 % të votave u konfirmua forca fituese politike brenda koaliconit të djathtë, Silvio Berlsuconi, deklaroi se "është i lumtur për Salvinin dhe për Lidhjen e Veriut me të cilën për shumë vite kanë qënë në qeveri e në disa rajone të rëndësishme të vendit vazhdojnë të qeverisin".

Silvio Berlusconi ka konfirmuar dhe rolin qëndror që do të ketë partia e tij Forza Italia në rastin e qeverisjes së vendit nga koalicioni i djathtë.

"Unë, tha ai, jam regjisori dhe garanti i kompaktësisë së këtij koalcioni".

Sa i takon rezultatit të dobët që forca e tij politike mori në këto zgjedhje duke u votuar vetëm nga 14 % e italianëve, Silvio Berlsuconi, u shpreh se ky rezultat do të ishte krejt ndryshe nëse ai do të garonte si një kandidat me të drejta të plota.

"Koalicioni i djathtë është fituesi i këtyre zgjedhjeve pasi italianët kanë votuar programin tonë të reduktimit të presionit fiskal, e të një politike ndryshe ndaj çështjes së emigracionit."

Koalicioni i qendrës së djathtë mori në zgjedhjet e 4 marsit mbi 37 % të votave me një fitore të shënuar në veri të Italisë e në disa zona qëndrore të vendit.



/Ora News.tv/