Bektashinjtë: Apel politikës shqiptare!

Bektashinjtë: Apel politikës shqiptare!

Bismilahi Rrahmani Rrahim!

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Selia e Shenjtë Bektashiane dhe milionat e besimtarëve tanë anekënd botës, po ndjekin me shqetësimin e natyrshëm ngjarjet politike më të fundit në Shqipëri. Me keqardhje konstatojmë se ditët e nxehta të këtij qershori, po u shtohet dhe nxehtësia dhe kacafytja e forcave të ndryshme politike, duke e çuar popullin në një pasiguri shpirtërore dhe fizike.

Akuza dhe kundër akuza, hedhje e gurëve dhe baltës njeri-tjetrit, mungesa totale e tolerancës dhe bashkëpunimit, më duket se po i japin frymë një skenari të frikshëm jo thjeshtë për ditën e caktuar të zgjedhjeve më 30 qershor, por edhe për vetë ardhmërinë tonë, për atë çfarë kemi kërkuar dhe sakrifikuar në këto vite të post-diktaturës.

Përballë kësaj situate, unë bashkohem me zërin dhe vetëdijen e vëllezërve të mijë, udhëheqës të feve dhe besimeve në Shqipëri, duke u bërë apel të gjitha forcave politike dhe sidomos krerëve të tyre: Mos e çoni Shqipërinë në rrokëllimë! Mos humbisni edhe shpresat e fundit të këtij kombi që u bë me aq luftë dhe sakrifica!

Ne, dervishët dhe baballarët bektashinj, lusin Zotin e Lartë të largojë nga mendjet dhe shpirtrat e politikanëve të sotëm shejtan-pushtetin, i cili i ka zënë prej gryke dhe po u merr frymën dhe nderin. Ne lutemi që ata të ulen në sofër të muhabetit si vëllai me vëllanë, pa sharje, pa shpifje, pa mllefe ordinerë dhe të pleqërojnë sa më urtë situatën. Veçanërisht tani, kur i lutemi Europës të na hapë dyert, të kemi një zë, atë të mirëkuptimit dhe dashurisë për njeri-tjetrin. Sot sa nuk është vonë!...

Kryegjyshi Botëror Bektashian,

Hirësia e tij,

Haxhi Dede Edmond Brahimaj

EMISIONET