Rusia është konkurente e fortë në garën e ashpër të armatimeve, teksa presidenti Vladimir Putin ka konfirmuar se vendi zotëron një raketë lundruese të pamposhtur, që mund të godasë çdo vend të botës. Deklarata erdhi nga fjalimi i përvitshëm i presidentit për kombin rus, 17 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti Vladimir Putin ka zbuluar se Rusia ka zhvilluar një raketë lundruese të pamposhtur. Në fjalimin e përvitshëm të mbajtur para kombit, që do të jetë edhe i fundit përpara zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit, Putin shpjegoi se arma mund të mbërrijë kudo në botë. Duke përdorur prezantime me video, Putin reklamoi raketën e re e cila nuk mund të ndalet nga mburoja amerikane në Europë e Azi, sipas tij.

Përtej lajmërimit surprizues, Putin parashtroi edhe pikat kyçe ku do të përqëndrohet politika e tij në mandatin e katërt presidencial. 65-vjeçari u zotua të përgjysmonte varfërinë në vend brenda 6 viteve të ardhshme, ndërkohë që shprehu ambicien që Rusia të ketë nivele të jetëgjatësisë si Japonia apo Franca. Presidenti gjithashtu kërkoi që vendi të mos e marrë për të mirëqenë fuqinë që ka arritur në arenën ndërkombëtare, por të punojë për të zgjidhur problemet e brendshme.

Në këto zgjedhje presidenciale, Putin përballet me 7 kandidatë, por asnjëri prej tyre nuk pritet të marrë mbështetje të gjerë. 65-vjeçari në fakt ka bërë pak fushatë. Ai madje ka munguar edhe në debatin televiziv mes kandidatëve të tjerë, së bashku me liderin opozitar Alexei Navalny, të cilit është ndaluar zyrtarisht kandidimi.

/Ora News.tv/