Kërkohej nga Reali i Madridit, PSG dhe Milani, por e  ardhmja e tij do të jetë në kampionatin kinez të futbollit. Pierre Emerick Aubameyang do të braktisë Borusian e Dortmundit për tu transferuar tek Guangzhou Evergrande. 

Lajmin fillimisht e kanë publikuar mediat në shtetin më të madh aziatik, e më pas konfirmimi ka ardhur edhe nga mediat gjermane. Klubi nga provinca e Guangdong ka mbyllur akordin me verdhezinjtë për shifrën e 72 milion eurove, ndërsa paga e sulmuesit gabonez dhe afati kohor i kontratës së tij nuk janë bërë ende të njohura, megjithëse normalisht parashikohen shifra stratosferike.

28 vjeçari do të qëndroj tek klubi nga Westfallen deri në mbyllje të këtij edicioni e më pas duke filluar nga muaji qershor do të transferohet në Lindjen e Largët. Skuadra e Guanzhou është jo vetëm kampione në fuqi, por triumfon prej 7 edicionesh rradhazi në kampionatin kinez dhe aktualisht drejtohet nga ish lojtari i përfaqësueses italiane, Fabio Cannavaro. 

Tek Evergrande Aubameyang do të gjejë disa futbollistë që në të shkuarën kanë luajtur në ligat europiane, si ish lojtari i Portos e Atleticos së Madridit, Jackson Martinez apo edhe brazilianin që në të kaluarën ka qenë pjesë e Red Bull Salzburg. Ende nuk ka ardhur zyrtarzimi , por duket se tashmë gjithçka ka përfunduar me sulmuesin që do të veshë ngjyrat e kuqe të Guangzhous duke braktisur në këtë mënyrë atë kontinent që konsiderohet maja e futbollit në mbarë botën.

/Ora News.tv/