Liderët europianë pritet të vendosin zgjatjen e datës së shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Presidenti i Këshillit, Donald Tusk, i parapriu të martën samitit urgjent që mbahet në Bruksel duke u propopozuar vendeve anëtare që ta zgjatin Brexit për një periudhë njëvjeçare.

"Nga përvoja e deritanishme kemi pak arsye të besojmë se procesi i ratifikimit të Brexit mund të ndodhë përpara qershorit. Një mundësi do të ishte një zgjidhje elastike e çështjes, që nënkupton zgjatjen për një kohë jo më të gjatë se një vit të procesit." 

Tusk tha se nëse zgjatja e Brexit pranohet, palët nuk do të mund të rihyjnë në negociata për marrëveshjen e dakordësuar më herët.

Brexit ishte edhe theksi i takimeve që kryeministrja angleze pati një ditë më parë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin francez, Emanuel Makron.

Prej javës së kaluar, kryetarja e qeverisë ka parashtruar idenë e zgjatjes së Brexit deri në datën 30 qershor, pasi beson se gjatë kësaj kohe do të gjejë konsensusin e opozitës.

Në Berlin, burimet thanë se Merkel është e hapur ndaj idesë së daljes së Britanisë së Madhe në fillim të vitit 2020, ndërsa nga Pallati i Elizesë janë kërkuar garanci që çdo shtyrje e mundshme nuk do të cënojë veprimtaritë e Bashkimit Europian.

Në çdo variant, gjasat që vendi të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare europiane të fundmajit janë të larta.

/Ora News.tv/