Bashkimi Europian pritet të ofrojë mundësi financimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të shmanget marrja e financimeve nga bankat kineze. Sipas zëdhënëses Maja Koçijançiç, Brukseli planifikon t’u kërkojë autoriteteve të këtyre vendeve që të marrin grantet dhe kreditë me interes të leverdishëm nga institucionet europiane, në përpjekje për të ulur ndikimin e Kinës në rajon.

Maja Koçijançiç: Kjo është në kontrast me financimin kinez, i cili vjen pothuajse ekskluzivisht në formën e kredive me mbështetje të konsiderueshme financiare. Prandaj, qeveritë duhet të jenë të kujdesshme që këto investime të mos i ekspozojnë ekonomitë e tyre ndaj borxhit të lartë".

Zëdhënësja ritheksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të qartë europiane dhe se një pjesë e këtij procesi përfshin gjithashtu edhe nevojën e modernizimit të infrastrukturës në këto vende.

Problemi i ndikimit financiar të Kinës në vendet e rajonit është adresuar gjithashtu në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, që u publikua në shkurt të vitit 2018. Ky dokument paralajmëron se Kina ka rritur operacionet e saj dhe aktivitetet e investimeve në rajon, të cilat në parim mund të ofrojnë mundësi të reja.

"Megjithatë, këto investime shpesh neglizhojnë qëndrueshmërinë socio-ekonomike dhe financiare", thuhet në Strategjinë e Komisionit Europian.

Në prill të këtij viti, kryeministri i Kinës, Li Keqiang, u takua me udhëheqësit nga Europa Qendrore dhe Lindore gjatë pjesëmarrjes në një konferencë në qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut.

Aty u diskutua për investimet në infrastrukturë, kryesisht për projektin "Rruga e Mëndafshit", i cili vlerësohet deri në 1 trilion dollarë dhe ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt Perëndimit.

Pekini përmes këtij projekti po synon të lidhë Kinën me Afrikën, Azinë dhe Europën, përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe parqeve industriale.

Midis vendeve të përfshira në nismat e Kinës është edhe Shqipëria, por deri tani përfitimet më të mëdha në Ballkan i ka marrë Serbia.


/Ora News.tv/