BE: Reformat dhe bisedimet me Serbinë, thelbësore për Kosovën

BE: Reformat dhe bisedimet me Serbinë, thelbësore për

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova, tha të martën se strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian e trajton Kosovën njëjtë sikurse vendet tjera në rajon, me perspektivë të qartë dhe kushte të njëjta të anëtarësimit. Ajo i numëroi disa nga detyrimet që duhet të përmbushë Kosova në rrugëtimin e saj.

“Çështjet më të ngutshme për Kosovën janë reformat në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, qeverisja e mirë dhe të punojë në pajtimin dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët”, tha ajo duke nënvizuar se duhet më shumë përkushtim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për një gjyqësor më të fortë dhe të pavarur.

Zonja Apostolova vuri në dukje po ashtu rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje në bisedimet me Serbinë.

“Kosova por edhe Serbia duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të dyjat nuk ka dhe nuk do të ketë rrugë alternative drejt së ardhmes evropiane”, tha ajo.

Zonja Apostolova tha se është shumë e rëndësishme që Kosova të përmbushë zotimet e saj dhe besueshëmria është me rëndësi dhe nuk duhet zhbëhet. Ajo tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është mundësi dhe kërkon konsensus të fortë politik e shoqëror që të ketë sukses ndërsa tha se është në duart e politikanëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi jo si një mjet politik për për pikë politike.

Publikimi i strategjisë është mirëpritur nga udhëheqës politikë në Prishtinë të cilët thanë se Kosova ka pritur dhe merituar më shumë, por vlerësojnë se strategjia e trajton Kosovën si shtet sovran dhe tregon se ardhmëria e saj evropiane është e pandalshme.

Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon. Ajo ka dështuar deri tash të përmbushë edhe një nga kriteret kryesore për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza, duke mos e ratifikuar një marrëveshje për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

/VOA/



EMISIONET