Bashkimi Europian është gati t’i hapë një luftë tregtare presidentit Donald Trump, duke vendosur tarifa ndaj një sërë produktesh amerikane. Reagimi vjen pas lajmërimit të kreut amerikan të shtetit se duke filluar nga java e ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të tarifojnë importet e çelikut dhe aluminit, plan që tronditi bursat dhe investitorët.

Bashkimi Europian do të përgjigjet në “mënyrë të vendosur” nëse Presidenti amerikan Donald Trump zbaton planin e tij për të tarifuar importet e metaleve.

Shefat europianë të tregtisë po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së tarifave prej 25% në rreth 3.5 miliardë dollarë importe nga Shtetet e Bashkuara, përfshi këtu çelikun, agrikulturën, xhinset, uiskin amerikan dhe të tjera produkte.

Kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj komentit të Donald Trump për një luftë tregtare.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, presidenti deklaroi se Shtetet e Bashkuara po humbasin miliarda dollarë në tregtinë me çdo vend partner, diçka që mund të kundërveprohet me një luftë tregtare, nga e cila SHBA do të dalë lehtësisht fituese.

Lajmërimi se presidenti amerikan planifikon të vendosë tarifa prej 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi aluminin javën e ardhshme, u prit menjëherë me kritika ndërkombëtarisht.

Ekspertë dhe kritikë argumentojnë se tarifat nuk do të mbrojnë vendet e punës dhe do të rrisin çmimet për konsumatorët.

Edhe bursa amerikane reagoi pas komenteve të Trump me një rënie të ndjeshme, teksa investitorët shprehën shqetësim për planin e ashpër tarifor të kreut amerikan të shtetit.

/Ora News.tv/