Batha sqaron sherrin me Radas: Nuk jam nga ata që godas pas shpine, Partizanin e mundim

Batha sqaron sherrin me Radas: Nuk jam nga ata që godas pas shpine,

Flamurtari pësoi humbjen e parë në Korçë pas 5 ndeshjesh pozitive dhe objektivi për të siguruar nje vend ne kompeticionet europiane është ndërlikuar. Megjithatë në kampin kuqezi ka optimizëm. Në një konferencë për shtyp, mesfushori Idriz Batha, analizoi disfatën me Skënderbeun, ndërsa foli edhe për sherrin me Marko Radas në fund të takimit.

"Nuk mendonte asnjëri nga ne që mund t'i fitonim të gjitha ndeshjet, sepse sigurisht ekipet janë aty-aty dhe nuk ka shumë diferenca të mëdha. Por, në këtë situatë që jemi edhe një mungesë vlen shumë. Na dëmtoi shumë mungesa e Francit dhe mendoj se ai rotacioni që u bë në ekip ndikoi për keq. Gjithsesi nuk mendoj se bëmë një ndeshje shumë të keqe, por që nuk na eci. Të them të drejtën isha unë ai që u provokua. Më ofenduan nga familja, Radas rasti konkret, por diçka që ndodhi jashtë stadiumit nuk ishte ajo që u përfol. Ne nuk jemi nga ata që ikim me vrap dhe godasim pas shpine. Atë që kemi e bëjmë sy për sy, por nuk ishte diçka kaq e madhe për tu diskutuar. "-tha fillimisht Batha.

Në fundjavë Flamurtari pret Partizanin, një ndeshje speciale për Bathën, i cili ka luajtur për disa vite me fanellën e kuqe. Mesfushori nuk i druhet kryeqytetasve, duke paralajmëruar shokët e tij të vjetër se do t’i mposhtin.

"Meqë e ka siguruar titullin shpresojmë që të fitojë Flamurtari këtë ndeshje dhe Partizani të mos jetë shumë i motivuar. Kjo ishte shaka. Mendoj që ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Neve na duhet më shumë se Partizanit. Janë 4 finale. Nëse duam që të përfaqësojmë qytetin në Europë besoj se janë katër ndeshje finale për ne dhe që duhen marrë pikët maksimale."-përfundoi mesfushori.

Flamurtari-Partizani luhet diën e shtunë në orën 15:00 në stadiumin e Vlorës.

EMISIONET