Bashkitë nuk kanë realizuar mbledhjen e të ardhurave si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Kryetari i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, tha se taksa mbi pasuritë e paluajtshme ka mosrealizimin më të madh ndërkohë që ka peshën më të madhe në buxhetin e vendorëve. Në tremujorin e parë kjo taksë është me një rënie prej 2.4%.

Agron Haxhimali: “Të dhënat e tremujorit të parë dhe 6 mujorit të parë të mbledhjes së kësaj takse të pasurive krahasuar me të njëjtin vit me parë janë shumë ulët dhe kjo ka ardhur edhe si rezultat i të qenit në një vit zgjedhor, kryesisht vit zgjedhor për pushtetin vendor dhe siç ndodh rëndomë në vendin tonë në kohë zgjedhjesh bie shumë efektiviteti i punës, qoftë i qëllimshëm, i vullnetshëm apo i pavullnetshëm.”

Nisur nga kjo Haxhimali thekson se bashkitë duhet të zbatojnë sa më parë metodologjinë e re për mbledhjen e taksës së banesave përmes sporteleve të ujësjellës-kanalizimeve.

Agron Haxhimali: “Asnjë nga bashkitë nuk ka kohë për të humbur, qoftë në vetëdeklarimet, qoftë me të dhënat që kanë nga zyrat, nga agjencitë qeveritare, nga zyra e Kadastrës.”

Zbatimi i metodologjisë së re për taksën e banesave është shtyrë me më shumë se një vit ndërsa problem mbeten të dhënat për pronat. Rreth 80% e pasurive të paluajtshme në Shqipëri rezultojnë me probleme.

/Ora News.tv/