Ajo që për policinë, prokurorinë dhe qeverinë është sukses kundër krimit, për kryetarin e opozitës Lulzim Basha, arrestimet e së dielës janë tentativë për të shkatërruar dosjen e kryebashkiakut të Durrësit,Vangjush Dako, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me bandat për të blerë vota. Basha tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda është kthyer në celulë kriminale. Për akuzat reagoi Kryeministri, i cili tha se sulmet ndaj prokurorisë vijnë nga ajo që ai e quan dhimbje koke për çështje të hapura.

Arrestimet e së dielës, mes tyre 2 ish-deputetëve të Partisë Socialiste, kryetari i opozitës Lulzim Basha, e cilësoi si tentativë për të mbyllur dosjen e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Lulzim Basha: Peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako, të tjerët janë peshq të vegjël të cilët po serviren si pjesë e përpjekjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës, për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosje Vangjush Dakon dhe për të shkatërruar provat, hetimet, të cilat çojnë dhe duhet të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos.

Basha hodhi akuza të ashpra ndaj drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Lulzim Basha: Peshqit e vegjël që kanë arrestuar mbrëmë, do të lirohen dhe akuzat do t’u lehtësohen. Është e gjitha pjesë e një përpjekje të Prokurorisë të kapur nga krimi dhe nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa. Sot ne faktikisht nuk kemi një Prokurori të Krimeve të Rënda, kemi një celulë kriminale e cila i shërben pikërisht këtij plani: që duke i servirur opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtare disa peshq të vegjël të cilëve prapë se prapë do t’i lehtësohen akuzat dhe do të lirohen, siç ka ndodhur në të gjitha rastet e derisotme, të mbyllet hetimi për Vangjush Dakon dhe të paktën katër depuetët të tjerë socialistë, si pjesë e kësaj dosje hetimore.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit në rrjetet sociale, ndërsa thotë se sulmet ndaj prokurorisë vijnë nga ajo që ai e quan dhimbje koke për çështje të hapura. 

Edi Rama: Shpif shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s'ka më peshk se rob jo e jo, që s'e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë!Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet.



/Ora News.tv/