Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në studion e "360 Gradë" në Ora News tha se nuk do të ketë kompromis me atë që ai e quan organizata kriminale e Rilindjes por zgjidhje politike.

Pjesë nga debati: 

Basha: PD bën shqyrtimin e politikave oligarkike dhe pastaj të çon tek emrat. Siç i kemi listuar, do të listojmë këdo që merr lekët e qytetarëve shqiptarë dhe i ndan me Edi Ramën. Hajdutëri totale. 

Pa dyshim që kemi bërë një listë të këtyre personave lidhur me kompanitë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme. 

Ne kërkojmë hetimin e të gjithë atyre sipas një platforme antioligarki, e cila bazohet në ligjin antimafia. Ky akt është kaq i rëndë, saqë ne propozojmë të përdorim mekanizmin antimafia. 

Në drejtësinë penale, fajin duhet ta provojë prokurori. Në mekanizmin antimafia, barra e provës është vendosur tek i akuzuari për çështjen e sekuestrimit të pasurisë. 

Këtë mekanizëm po e propozojmë për të trajtuar problemin e madh të vjedhjes së parave publike.

Ne duam të ndërtojmë një mekanizëm, që paratë që u janë marrë qytetarëve shqiptarë t'ia rikthejë qytetarëve shqiptarë dhe përmes një vendimi të tillë të parandalojë që kjo të përsëritet. 


 

/Ora News.tv/