Basha në prokurori: Edhe dy deputetë PS në aferën e milionave me "Toyota Yaris"

Prokuroria e Tiranës,  ka nisur një hetim paralel me atë të Krimeve të Rënda për çështjen "Toyota Yaris", ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha, është thirrur për të dhenë sqarime për nxjerrjen e sekretit hetimor. Teksa akuzoi ashpër prokurorinë, Basha tha se në këtë çështje përveç Ballës, janë përfshirë dhe dy deputetë të tjerë, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja.  Nga Gjykata e Tiranës, Balla kërkoi që Basha të dënohet për shpifje.

"Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po u them dhe ka porositur një "Toyota Yaris", po ta kanë zbuluar Toyotën o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda".

Kjo deklaratë e Bashës në foltoren e Kuvendit është bërë shkak që Prokuroria e Tiranës, të nisë një hetim për nxjerrjen e sekretit hetimor.  

Për këtë qëllim, në prokurori u thirr për tu pyetur kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili për më shumë se 20 minuta ka dhënë detaje për ngjarjen.

Në dalje të prokurorisë, krahas Taulant Ballës, Basha akuzoi si të implikuar në  çështjen ‘Toyota Yaris” ku u sekuestruan rreth 5 milion euro, edhe dy deputetë socialist.

Basha: Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për hetimin që ka hapur në lidhje me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i përket veprës kriminale të futjes së parave të krimit me Toyota Yaris. Ky veprim dëshmon se deklaratat e mia publike, denoncimet e mia publike për përfshirjen e Taulant Ballës në dhënien e garancive politike dhe në trafikimin e paligjshme të parave të pista të krimit, janë të vërteta. Sot dua t’u them se në këtë aferë janë të përfshirë edhe dy deputetë të tjerë të Partisë Socialiste, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja.

 Në derë të prokurorisë, Basha akuzoi ashpër këtë organ.

Basha: Prokuroria ka fakte dhe prova të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Për të kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Qazim Sejdinin me shokë.

Por e kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës dhe nga krimi, prokuroria po i trajton lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror. Po mbron lidhjet e Taulant Ballës me bandat e krimit të organizuar, lidhjet e Vangjush Dakos me bandat e krimit të organizuar me bandat e krimit të organizuar, si sekret shtetëror.

Në të njëjtën orë, për të njëjtën çështje në Gjykatën e Tiranës, ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili ka paditur Bashën për shpifje.

Balla: Është e turpshme se ku ka përfunduar sot drejtimi i PD-së, një njeri ose disa pak njerëz, të cilët të vetmen gjë që shfrytëzojnë minutat e vlefshme që ju mediat na ofroni, e kanë vetëm për të shpifur.

Padisë së Bashës për shpifje, pritet ti bashkëngjiten dhe dy deputetët e PS-së, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja,  që u  akuzuan nga Basha se kanë lidhje me çështjen ‘Toyota Yaris”.  

Basha të vijë të enjten

Balla ftoi dhe PD të vijë të enjten në parlament të votojë pr/ligjin e lojërave të fatit.

"PD në orën 10:00 ka detyrim të vijë të votojë ligjin për mbylljen e pikave të bastave. Votimi do jetë në mesditë dhe lulzimi mund ta kapë" 


EMISIONET