Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi nga Brukseli se Shqipëria nuk ka shënuar përparim me kushtet e vendosura për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Kreu i opozitës, i cili mori pjesë në Asamblenë e PPE theksoi se në këtë moment të vështirë është i rëndësishëm zëri dhe vizioni i opozitës për daljen nga kriza.

Basha: Vendet anëtare, tashmë përmes procesit të negociatave, do të ushtrojnë presion të shtuar mbi qeverinë. Ky presion do të ndihmojë për të kapërcyer krizën kushtetuese, demokratike dhe institucionale të vendit, përmes të vetmit instrument që njeh Evropa, që njohin demokracitë, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

I pyetur se cili është qëndrimi i opozitës për një Po me kushte që mund të vijë nga shtetet anëtare, për shkak të kontestimeve të shteteve anëtare, Basha tha se kriteri bazë për të qenë anëtar i Bashkimit Europian është demokracia.

Basha: Pa dyshim në Bruksel ka një vetëdijësim të madh për krizën e thellë të demokracisë, për krizën e thellë të sundimit të ligjit në Shqipëri. Një meritë e madhe i takon Partisë Demokratike, i takon opozitës që ka bërë betejat e duhura për Shqipërinë, për shqiptarët. Është e qartë se me mënyrën si po zhvillohen ngjarjet në vend, Shqipëria po i largohet Europës.

Kryedemokrati Basha u shprej se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar qëndrojnë fuqishëm për integrimin europian dhe kërkojnë që edhe procesi i hapjes së negociatave t’i shërbejë fitores së kësaj kauze. Kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si themel i demokracisë, i llogaridhënies para qytetarëve dhe i një shoqërie të drejtë dhe të barabartë përpara ligjit.

/Ora News.tv/