Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha nga selia e partisë që drejton se ky është një moment kyç për historinë e Shqipërisë duke kërkuar edhe vëmendjen e mediave. Sipas tij, Parlamenti është ilegjitim pas publikimit të skandalit të vjedhjes së votave nga Zëri i Amerikës.

Basha: Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë e pluralizimit. E gjithë opozita ka marrë një vendim për t'iu bindur urdhrit të qytetarëve që u derdhën në protestën e 16 shkurtit. 

Edi Rama nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Është kapur nga prokuroria shqiptare dhe është demaskuar nga Zëri i Amerikës si hajduti i zgjedhjeve të 2017-s. Parlamenti nuk është legjitim dhe ky është shkaku i pasojave që mblodhi qytetarët në shtet. Është kolapsi total i sistemit arsimor, është papunësia, varfëria ulur këmbëkryq. Është gjendja e shëndetësisë shqiptare, është ekonomia dhe emigracionit që po zbraz Shqipërinë. Janë këto probleme që kërkojnë zgjidhje. Edi Rama nuk mund t'i japë këto zgjidhje për arsye se qeveria e tij është produkt i krimit dhe oligarkëve.

Pas u kap duke vjedhur 30 mln euro tek Unaza me një kompani që nuk ekziston, nuk shkon askush në burg. Asgjë tjetër nuk e shpjegon se si mund të zhvendoset lumi i Lanës pak më tutej për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge me projekt 60 mln euro. Ky është shteti i kapur nga krimi. Ky nuk është shteti që shqiptarët duan dhe meritojnë dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe me Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite. Ndaj, mbajeni vëmendjen tek ky moment kyç i historisë tonë, që është një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët. Ne jemi të vendosur t'i prijmë betejës. 

/Ora News.tv/