U thirr në Prokurori, Basha: Hetimi ndaj meje me urdhër të Ramës, por nuk më tremb

U thirr në Prokurori, Basha: Hetimi ndaj meje me urdhër të

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas hapjes së hetimeve për Lulzim Bashën, në lidhje me lobin në SHBA. Sipas Bashës ky është një hetim politik me metoda putiniane me urdhër të Ramës.

Basha tha se hetimi ndaj tij është absurd, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Ai tha se  nuk trembet, ndërsa theksoi se misioni i PD do të vazhdojë dhe nuk ka asnjë hap pas. 

Reagimi i Bashës

Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike.

Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!

Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun.

Këto metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë, thjesht do ta thellojnë më shumë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe do ta bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e keq të tij. Edhe fundin e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës.

Shqiptarët tani po shohin fytyrën e vërtetë të prokurorisë politike të Edi Ramës: institucioni që ndihmon dhe mbron Edi Ramën, Olsi Ramën, Linda Ramën, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën, Ulsi Manjën, Arben Ahmetajn, Qazim Sejdinin, Jurgis Çyrben, Ilir Ndraxhin, Elvis Roshin, Pjerin Ndreun dhe kriminelët e tjerë, që mbron qeveritarët e korruptuar deri në palcë, punon vetëm për të luftuar kundërshtarët politikë të regjimit dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër tij.

Sot, shqiptarët e kuptojnë se sa të pambrojtur janë para krimit që është në pushtet: ka një prokurori të mbushur me prokurorë politikë dhe të korruptuar, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që Kuvendi gjytyrym është i mbushur me politikanë të kriminalizuar ose përfaqësues direkt të krimit.

Ky është sistemi i kalbëzuar nga krimi dhe korrupsioni që ne duhet të shembim! Asnjë hap pas nga beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për Shqipërinë si Europa!

EMISIONET